Si e ndihmoi Inteligjenca amerikane Ukrainën për t’u mbrojtur nga Rusia

Ndërsa Rusia nisi pushtimin, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë forcave ukrainase informacione të detajuara për saktësisht se kur dhe ku raketat dhe bombat ruse do të binin, duke e shtyrë Ukrainën të largonte mbrojtjen ajrore dhe avionët jashtë rrezikut, thonë zyrtarë dhe ish-zyrtarë amerikanë për NBC News.

Ky shkëmbim pothuajse në kohë reale i inteligjencës i hapi gjithashtu rrugën Ukrainës që të rrëzojë një aeroplan transporti rus që bartte qindra trupa në ditët e para të luftës, thonë zyrtarët, duke ndihmuar në zmbrapsjen e një sulmi rus në një aeroport kyç pranë Kievit.

Ishte pjesë e asaj që zyrtarët amerikanë e quajnë një operacion masiv dhe të paprecedentë të ndarjes së inteligjencës me një partner që nuk është në NATO, i cili thonë se ka luajtur një rol vendimtar në suksesin e deritanishëm të Ukrainës kundër ushtrisë ruse e cila është më e madhe dhe e pajisur më mirë.

Për mbrojtjen ajrore dhe aeroplanin transportues nënvizojnë pse, dy muaj në luftë, zyrtarët vlerësojnë se inteligjenca nga agjencitë e spiunazhit të SHBA-së dhe Pentagoni kanë qenë një faktor i rëndësishëm që ta ndihmojë Ukrainën t’i pengojë përpjekjet e Rusisë për ta pushtuar pjesën më të madhe të vendit.

Një zyrtar amerikan tha se SHBA-ja dha shumë informacione për Ukrainën.

“Ka pasur ndikim të madh në nivelin taktik dhe strategjik. Ka shembuj ku mund të dallosh se kjo ka bërë një diferencë të madhe”.

Në një deklaratë, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha: “Ne vazhdimisht po u ofrojmë ukrainasve inteligjencë të detajuar dhe në kohë për fushëbetejën për t’i ndihmuar ta mbrojnë vendin e tyre kundër agresionit rus dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.

NBC News nuk ka publikuar edhe disa detaje specifike që i janë konfirmuar për shpërndarjen e inteligjencës nga zyrtarë të cilët thanë se raportimi i atyre detajeve mund t’i ndihmojë rusët që t’i heqin qafe burimet e rëndësishme të informacionit.

“Ka pasur shumë informacione të shpërndara në kohë reale për caqe specifike të forcave ruse”, tha një ish-zyrtar.

Informacioni përfshin imazhet satelitore, “por edhe informacione të tjera inteligjence si, për shembull, ku janë aktive disa njësi ruse”.

Ukraina vazhdon ta lëvizë mbrojtjen ajrore dhe avionët gati çdo ditë me ndihmën e inteligjencës amerikane, që është një nga arsyet që Rusia nuk ka mundur të dominojë në ajër. Në disa raste, Ukraina lëvizi sistemet ajrore mbrojtëse të shënjestruara ose avionët në momentin e fundit, thanë zyrtarët.

“Ka pasur një ndikim jashtëzakonisht të madh në aftësinë në tokë të ushtrisë ruse”.

Derisa bashkëpunimi SHBA-Ukrainë është ndërtuar që kur Rusia aneksoi Krimenë më 2014, ato u shndërruan në marrëdhënie të larta në javët para pushtimit rus kur një ekip ushtarak amerikan shkoi për të vlerësuar gjendjen e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Amerikanët u ofruan ukrainasve këshilla të detajuara se si të shpërndanin sistemet ajrore mbrojtëse, një lëvizje që zyrtarët amerikanë thonë se ndihmoi Ukrainës ta ndalonte Rusinë që të merrte kontrollin e qiellit.

Inteligjenca ndihmoi Ukrainën të mbrohej, po ashtu të sulmonte

SHBA-ja i ka ofruar Ukrainës informacione në momente vendimtare duke i mundësuar që t’i shënjestrojë më mirë forcat ruse.

Forcat ukrainase kanë përdorur koordinata specifike të shpërndara nga SHBA-ja për të drejtuar sulmet mbi pozicionet dhe avionët rusë, thanë zyrtarë dhe ish-zyrtarë.

Këto goditje të hershme ndihmuan në pengimin e operacionit të sulmit ajror rus për të marrë Aeroportin Hostomel pranë Kievit, që do t’i mundësonte rusëve të fusnin trupat dhe pajisjet rreth kryeqytetit. Rusët gradualisht morën aeroportin për një kohë, por kurrë nuk patën kontrollin e mjaftueshëm për të futur sasi të mëdha pajisjesh. Ai dështim pati një ndikim të madh në betejën për Kievin, thanë zyrtarët amerikanë.

Edhe CIA po ashtu po përqendron burime, thanë zyrtarët, për të mbledhur informacione me qëllimin për ta mbrojtur presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyn, të cilin rusët duan ta vrasin.

Drejtori i CIA-s, William Burns, i tha Kongresit muajin e kaluar se kur ai takoi Zelenskyn në Kiev në janar, ndau me të informacione që kishte atë kohë për “disa nga detajet më shqetësuese për planet ruse për Kievin” dhe se ndarjen e informacioneve e kishte vazhduar çdo ditë tutje.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, muajin e kaluar tha se SHBA-ja ka ndarë “një sasi të konsiderueshme të informatave të detajuara me qeverinë ukrainase për planet dhe aktivitetet e Rusisë që t’i ndihmojë ukrainasit ta mbrojnë veten”, duke shtuar se materiali “përfshin informacion që i ndihmon ata në informim dhe zhvillim të përgjigjes ushtarake ndaj pushtimit rus”.

Ushtria amerikane dhe CIA filluan thellimin e marrëdhënieve me palën ukrainase pasi Rusia aneksoi Krimenë më 2014. CIA së pari ndihmoi shërbimet ukrainase të çrrënjoste spiunët rusë, tha një ish-zyrtar amerikan, dhe më pas u ofroi trajnime dhe udhëzime. Ushtria amerikane trajnoi ushtarët ukrainas.

Një zyrtar i inteligjencës perëndimore theksoi se nuk është vetëm inteligjenca që ka rezultuar vendimtare, por është edhe performanca e ukrainasve në përdorimin e saj. Burimi tha se ukrainasit kanë luftuar rusët me shkathtësi dhe kurajë, dhe kur ata kanë pranuar informacion, kanë vepruar me shpejtësi mahnitëse.