Si mendoni për legalizimin e kanabisit? Rama publikon pyetjen e gjashtë të nismës së Këshillimit Kombëtar

Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe sot me publikimin e pyetjeve në lidhje me nismën e Këshillimit Kombëtar. Pyetja e gjashtë ka të bëjë me një çështje shumë të ndjeshme dhe të debatueshme siç është ajo e legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore, ku kreu i qeverisë kërkon opinionin e qytetarëve.

“Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar për arsye përdorimi vetjak. Të tjerë thonë që kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore. Si mendoni ju?”, thuhet në pyetësorin e  publikuar nga shefi i qeverisë.

Ai përsëriti qëndrimin e tij, duke bërë sërish thirrje për të lënë pas krahëve llogoret përçarëse të partive dhe të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin, ndërsa ftoi qytetarët të japin mendimin e tyre.

“Për të ecur më shpejt e për t’u ngjitur lart, kemi nevojë të lëmë pas krahëve llogoret përçarëse të partive dhe të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin! Ju ftoj të gjithëve të jepni opinionin tuaj në këtë proces popullor që zhvillohet për herë të parë dhe është i hapur për çdo shqiptar, kudoqoftë jeton e banon, pavarësisht bindjeve e simpative politike, duke klikuar si vijon: https://keshillimikombetar.al/ #LeTëDëgjojmëNjëriTjetrin”, shkruan Rama.