Kompanitë dhe institutet kineze të teknologjisë që punojnë në zhvillimin e raketave hipersonike dhe balistike po përdorin teknologji me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, pavarësisht ndalimeve ekzistuese të eksportit për teknologjinë e ndjeshme.
Siç zbulohet nga hetimi i Washington Post, këto janë sisteme kompjuterike të avancuara për simulimin e vetive aerodinamike dhe të tjera të raketave – simulime softuerësh që janë dukshëm më të mirë në cilësi sesa teknologjia e disponueshme për inxhinierët kinezë.
Ishte me ndihmën e programeve të tilla, pretendon Washington Post, që Kina arriti të tronditë Perëndimin duke demonstruar raketën e saj të parë hipersonike në vitin 2021. Shkencëtarët kinezë u konfirmuan gazetarëve amerikanë se simulimet e avancuara, të zhvilluara nga kompanitë amerikane gjatë viteve të kërkimit dhe zhvillimit, reduktojnë ndjeshëm kohën dhe kostot e nevojshme për të kryer fazat përfundimtare të testimit të raketave.
Qëllime të tjera
Programet amerikane në duart e Kinës mund të përdoren dhe për qëllime të tjera ushtarake, si zhvillimi i motorëve të avionëve për avionë luftarakë bombardues, një zonë ku Uashingtoni gjithashtu konkurron me Pekinin.
Një hetim i Wasgington Post zbuloi më shumë se 300 shitje të softuereve të avancuar nga viti 2019 deri më sot. Nga studimi i kontratave, institucioneve dhe kompanive të lidhura me klientët origjinalë, rezultoi se përfituesit përfundimtarë të programeve amerikane ishin subjekte të ndryshme të lidhura me zhvillimin e raketave hipersonike kineze apo raketave të tjera.
“Është shumë shqetësuese,” i tha gazetës Iain Boyd, kreu i Qendrës për Iniciativat e Sigurisë Kombëtare të Universitetit të Kolorados. “Përfundimi është se teknologjia, e cila mund të përdoret për armët hipersonike, është financuar nga taksapaguesit amerikanë, përmes qeverisë amerikane dhe ka përfunduar në Kinë”.
Shumë kompani amerikane që zhvilluan sisteme të tilla softuerike ishin përfituese të subvencioneve shtetërore, më së shpeshti si pjesë e financimit të Ministrisë së Mbrojtjes për zhvillimin e zgjidhjeve më moderne teknologjike.
Armët hipersonike janë një kapitull i ri në historinë e garës së armëve – raketat bërthamore ose konvencionale, të cilat fluturojnë drejt objektivave të tyre më shumë se pesë herë më shpejt se zëri, paraqesin sfida të rëndësishme për objektivat e tyre të mundshëm. Raketa të tilla janë të vështira për t’u dalluar, të vështira për t’u gjurmuar dhe pothuajse e pamundur për t’u rrëzuar në kohë, kryesisht sepse jashtëzakonisht pak sisteme armësh mund të gjurmojnë shpejtësinë e tyre, por edhe sepse shpejtësia e tyre lë shumë pak kohë për një reagim në kohë.
Megjithëse mund të duket e parëndësishme për vendet me programe hapësinore aktive, zhvillimi i sistemeve të tilla është jashtëzakonisht kërkues, sepse këto raketa janë të ekspozuara ndaj forcave aerodinamike të paprecedentë, i nënshtrohen ngarkesave të larta termodinamike dhe, nga dizajni i tyre, mund të kalojnë nëpër disa shtresa të ndryshme të atmosferë, secila prej të cilave ka veti të ndryshme.
Kjo është pikërisht arsyeja pse simulimet kompjuterike me cilësi të lartë janë të paçmueshme – sepse projektuesit mund të provojnë variacione dhe kombinime të shumta të materialeve, formave, shtytjes dhe kushteve atmosferike pa pasur nevojë të testojnë secilin variacion veçmas në tunelet e erës. Vetëm kur kompjuterët konfirmojnë se dizajni është premtues, ai kalon në krijimin e shtrenjtë dhe kompleks të një prototipi për testim.
Teknologji superiore
“Në këtë rast, teknologjia amerikane është superiore”, tha një shkencëtar anonim kinez për Washingto Post. “Ne nuk mund të bëjmë disa gjëra pa teknologji të huaj. Ne thjesht nuk kemi të njëjtat themele teknologjike.”
Uashingtoni ka ndaluar shitjen e produkteve amerikane në Kinë nëse kompanitë e dinë se ato do të përdoren për të prodhuar raketa ose nëse ato mund t’i rishiten njërës prej kompanive në të ashtuquajturën listë të entiteteve – listën e zezë të eksportit. Pavarësisht ndalimeve, ushtria kineze përdor ndërmjetës dhe gjoja kompani civile që më pas ua kalojnë teknologjinë zhvilluesve të raketave.
Çështja është Akademia Kineze e Aerodinamikës së Hapësirës Ajrore (CAAA), e cila nuk është ende në listën e entiteteve, por ishte e rëndësishme në testimin e raketës hipersonike në 2021. Mjafton ky fakt për t’i ndaluar blerjen e teknologjisë amerikane, por gjithsesi e ka marrë softuerin e simulimit përmes ndërmjetësve kinezë.
Kompanitë amerikane kryesisht lajnë duart nga përgjegjësia. Kur u pyet nga WP nëse ai kishte kontrolluar se cilët janë klientët e kompanisë kineze, e cila normalisht punon në kompleksin ushtarak kinez, J on Ding, një distributor i softuerit simulues aeroelastik për Kinën, tha se nuk e kishte bërë sepse i paralajmëroi ata të mos i shesin grupeve ushtarake. “Për shkak se më kanë premtuar dhe unë u besoj atyre, ndaj nuk e bëj atë lloj monitorimi”, tha Jon Ding.