Si u arrestua para 1 viti në Istog shqiptari që sot iu ngrit aktakuzë për Masakrën e Izbicës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë ndaj M.A., i dyshuar për pjesëmarrje në ekzekutimin e 130 personave në masakrën e Izbicës. Ai është shqiptar me vendbanim për Beograd. E në paraburgim ai po mbahet nga 31 marsi i vitit të kaluar. Express ju sjell detaje për arrestimin e tij pranverën e vitit që shkoi.

Shqiptarit me vendbanim në Beograd, M.A., Prokuroria Speciale e Kosovës i ngriti sot aktakuzë. Kjo pasi ai dyshohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e 130 personave në masakrën e Izbicës.

Ndaj tij rëndon akuza për krime luftë kundër popullatës civile.

“Hetimet 12 mujore kanë vërtetuar se i pandehuri M.A. së bashku me persona ende të pa identifikuar të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marr pjesë në ekzekutimin e 130 personave, prej të cilëve 12 kanë mbijetuar. Gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri i lartcekur në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe,  ka marr pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet”, thuhet në njoftim.

Por si ndodhi arrestimi i tij më 30 mars të 2021-ës?

Para një viti M.A., u kthye në familjen e tij në fshatin Kërrninë të Istogut pas 23 vitesh. Për tërë këto vite ai nuk e kishte shkelur pragun e shtëpisë. E atë ditë atje kishte festë për kthimin e djalit të madh në familje.

Ai kishte ikur si 26-vjeçar nga fshati ku ishte rritur, bashkë me forcat paramilitare serbe, me të cilat dyshohet se ishte pjesëmarrës në masakrën e Izbicës, ku u vranë e u masakruan 150 kosovarë të pafajshëm.

E postimeve të familjarëve të cilët kishin publikuar fotografi të tij, duke i uruar mirëseardhje 23 vjet pas kthimit në shtëpi, ua pati parë hairin policia, duke çuar kështu në arrestimin e M.A.

Ai u arrestua nën dyshimet se ka qenë pjesëmarrës në masakrën e Izbicës, dhe ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

“Fsh. Izbicë, Skenderaj (1998-1999) NN.   Me 30.03.2021 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti gjatë kohës së lartë cekur ka kryer veprën penale të lartë cekur.  Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhej në raportin e policisë.

Çfarë thoshin banorët e Istogut që e kishin njohur atë?

Një banor i Istogut, (emër i njohur për redaksinë), pati deklaruar për Gazetën Express se e njeh M. A. qysh prej fëmijërisë.

“E kam njohur prej kur ka qenë fëmijë. Familjarisht kanë jetuar në mes shqiptarëve dhe serbëve. Por këta, raportet i kanë pasur më shumë me serbë”, ka deklaruar ai.

Ai ka treguar se si M.A. ishte larguar për disa muaj nga shtëpia, e më pas ishte kthyer përsëri.

“Ka shkuar në një fshat në Drenicë ku i ka dajat, në kohë të luftës ka qëndruar atje diku 4-5 muaj, nuk e di saktë kohën sa ka qëndruar, e në atë kohë kanë hy vëzhguesit e edhe familja e ky janë kthyer këtu. Ky në njëfarë forme është zhdukur, është bashkuar me paramilitarët serbë”, ka deklaruar ai.

Istogasi thotë se në kohën kur kishte ndodhur masakra e Izbicës, e kishte parë M.A.  në mesin e serbëve, dhe kishte arritur ta identifikonte pasi e njihte shumë mirë.

“Kur ka ndodhur masakra e Izbicës unë nuk kam qenë fort largë, vetë i treti kam qenë, kur ka ardhë me serbë të Kërrninës është ngjitur në një rrugë përpjetë, i kemi parë, normal që e kam njohur dhe e njoh ende, por kishte ndryshuar shumë tash pas 23 vjetësh, sepse ai ka ikur për Serbi me forcat serbe”, ka deklaruar ai.

Ai ka treguar se gjatë kohës kur M.A. po jetonte në Serbi, familja e tij ka qëndruar në fshatin Kërrninë.

“Të dielën në mbrëmje është kthyer në Kërrninë, në Facebook e kanë postuar familjarët që ai ka ardhur, kanë shkruar “mirë se erdhe pas 23 vjetësh në shtëpi”, por tash i kanë fshirë ato. Familja e tij ka jetuar këtu çdo herë”, pati deklaruar ai për Express.

Ndryshe, më 23 marsit janë bërë 23 vjet nga masakra në Izbicë të Skenderajt, në të cilën po dyshohet të ketë qenë pjesëmarrës edhe M.A.

Në këtë masakër u vranë 150 kosovarë, në mesin e tyre edhe fëmijë, gra e pleq.

E gjitha kjo, nën akuzën se ishin terroristë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ani pse të gjithë ishin civil të pambrojtur e të paarmatosur.