Mbrëmë pas mesnate në klubin e natës ‘STOP’ në Gjilan ka ndodhur një përleshje ku janë përfshirë disa persona, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës i cili ishte në rroba civile, dyshohet se është sulmuar fizikisht nga dy personat që janë pjesë e personelit të sigurimit në klub.
Si pasojë e rrahjes, 24-vjeçari ka marrë lëndime trupore për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, teksa rastin e ka denoncuar edhe në Polici.
Njësitet policore kanë intervenuar menjëherë duke arrestuar dy personat e dyshuar, të cilët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.