Ndonëse ishte paralajmëruar, të mërkurën nuk është mbajtur takimi në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Këtë e ka konfirmuar presidenti serb Vuçiç, në një prononcim për gazetarë nga Brukseli, pas takimeve që ka pasur me kryediplomatin evropian, Josep Borrell, i cili ka qenë i shoqëruar nga i Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Nuk ka pasur takim me Kurtin sepse Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë. Besoj se do të mësoni më shumë për këtë nga evropianët”, tha Vuçiç, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.
Ai theksoi se është kthyer tri herë në takimin me Borrell-in dhe Lajçak-un, të cilët ia kanë përcjellë mesazhet e Kurtit, të cilave ai i është përgjigjur.
Sa i përket takimeve me ndërmjetësit evropianë, kreu i Serbisë i vlerësoi korrekte.
“Ai nuk ka dashur të më takoj”, potencoi Vuçiç kur u pyet nga gazetaret se pse nuk pati një takim të përbashkët, duke shtuar se Kurti ka thënë se “nuk është gati për një takim me Vuçiç-in”.