S’ka turizëm për kosovarët në Itali, dërgohen në Tiranë udhëtarët që u ndalën në Aeroport

14 shtetas të Kosovës që udhëtuan nga Prishtina në Romë, e që për shkak të masave të reja anti-COVID në Itali u ndalën në Aeroport të Romës, janë dërguar në Tiranë, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Të shtunën në mbrëmje, një numër qytetarësh nga Kosova u ndalën në Aeroportin e Romës për shkak të masave të reja. Me masat e reja, Kosova është në listën “E” të kategorizimit në Itali. Bazuar në rregullat, nga Kosova mund të udhëtojnë drejt Italisë vetëm ata që kanë arsye pune, shëndetësore, studimi, urgjence apo kthimi në vendbanim dhe jo për turizëm.

Tani falë asistencës nga Ambasada e Kosovës në Itali, qytetarët e mbetur janë dërguar në Aeroportin e Rinasit në Tiranë.

“Me date 17.12.2021, autoritetet kufitare italiane në aeroportin e Fiumiçinos në Romë kanë ndaluar 14 shtetase të Republikës së Kosovës, që udhëtonin në Romë nga Prishtina. Ata ishin ndaluar për shkak të masave të fundit të Qeverisë italiane për parandalimin e Covid-19, ku Kosova gjendet në listën E dhe udhëtimet për turizëm nuk janë të lejueshme. Përfaqësuesit e Ambasadës së Kosovës në Itali, menjëherë kanë dalë në vend të ngjarjes, kanë kontaktuar me autoritetet italiane dhe kanë vizituar qytetarët në aeroport për të parë nga afër situatën dhe për të ofruar asistencën dhe ndihmën e nevojshme. Të 14 qytetarët janë kthyer sot me datë 18.12.2021 nga Roma në aeroportin e Rinasit në Tiranë”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Ditë më parë, Ambasada e Kosovës në Itali veçse i kishte publikuar përditësimet e masave anti-COVID në Itali, që ka zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme.