Skandali tek Onkologjiku, zhvasin pacientët me tumor! I mohonin shërbimin, i orientonin tek klinika private e doktorit! 7 në hetim, mes tyre ish zv/drejtoresha e QSUT, 2 mjekë e personeli

Prokuroria e Tiranës zbuloi skemën e mashtrimit dhe zhvatjes së pacientëve të sëmurë me tumor në spitalin e Onkologjikut në QSUT.  Ndërsa pacientët të diagnostikuar me tumor shkonin në spitalin shtetëror të Onkologjikut në QSUT, për të marrë shërbimin shëndetësor publik,  orientoheshin që shërbimet t’i merrnin në klinikën mjekësore “Megis” në pronësi të mjekut Edmond Gashi, që e kishte në zonën e Astirit  në Tiranë.  

Jo vetëm kaq.Telefonat e mjekëve dhe koordinatorëve të shërbimit kanë mbajtur në vëzhgim për një kohë të gjatë kanë rezultuar biseda e pazare të mirëfillta si në shitjen e medikamenteve citostatike me vlera të konsiderueshme që nxirreshin jashtë spitalit Onkologjik apo bliheshin me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci, si dhe tarifat që merreshin për ndërhyrje kirurgjikale.

Gjithashtu aparatura e vetme ‘Kobalto Terapinë’ e cila shërben për radioterapitë u la jashtë kushteve teknike me qëllim që pacientët të mos e merrnin shërbimin tek Onkologjiku por në klinika të tjera private, duke u kthyer në burim rreziku jo vetëm për mjekët që punonin por dhe pacientët.

Skema 

Prokurori i Tiranës Bledar Valikaj ka marrë të akuzuar zv/drejtoresha e QSUNT-së,Brikena Qirjazi, 2 mjekë të spitalit të Onkologjikut, Edmond Gashi e Alketa Ymeri (Pere) Koordinatorin pranë këtij spitali, Emiljano Lela, administratorin e klinikës ‘Megis’, Halil Gashi dhe administratori i farmacisë Florian Marku. Ndaj tyre Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë arrest shtëpie, detyrim me paraqitje

Sipas prokurorisë së Tiranës ‘në bashkëpunim me njëri-tjetrin mjekë, specialistët dhe administratori i spitalit të Onkologjikut orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT

Për çfarë akuzohen 

“Këta shtetas kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza” si mjekë onkologë  dhe duke përdorur detyrën e vetë nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror por i orientonin pacientët në spitale private për të marrë shërbimin që kërkohej nga ana e atyre. Gjithashtu në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë por nuk vendosej në punë dhe ishte jashtë kushteve të përdorshmërisë duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit është bërë e mundur që ky burim të zhvendosej dhe të vendosej në dhomën adapte” thuhet në dosje.

Si përfundonin pacientët tek klinika private e doktorit “Megis” 

Pjesë e skemës ishte Emiljano Lela, doktori i Onkologjikut, Edmond Gashi, administratori i klinikes Halil Gashi dhe mjekja Alketa Ymeri.  
Emiljano Lela i cili kishte detyrën e koordinatorit në Shërbimin onkologjik merrte pacientët pa rradhë dhe i dërgonte tek mjek tjetër nga ai që ishte rekomanduar dhe konkretisht tek Edmond Gashi. Për pacientët e dërguar tek klinika e Edmond Gashit ai merrte përqindje dhe kjo e parë dhe nga kqyrja e telefonit. Si rregull nuk lejohet kalimi i pacientëve nga një mjek në tjetrin ditën e parë të vizitave, kjo është pohuar për prokurorinë e Tiranës edhe nga shefja e shërbimit Silvana Çeliku, shefi i radioterapisë Orgest Spahiu dhe administratorja Alketa Ile Dhimitri.

Më pas mjeku Edmond Gashi i sugjeronte pacientët të shkonin tek klikina e vet private duke iu shpjeguar se është rradhë e madhe në spitalet shtetërore dhe situate është emergjente.

Më pas i braktiste 

“Mjeku nuk shkonte tek pacientët që kishte në klinikën e vet private kur lajmërohej nga infermierët se pacienti ka temperaturë duke thënë ‘vari leshtë’ kjo e vërtetuar dhe me interceptimin telefonik të përshkruar më sipër. Nuk i tregon pacientëve që në spitalin e tij privat bëhen vetëm skanerat, biopsia dhe për kimioterapitë dhe për rrezet pacientët duhet të kthehen prapë në spitalin shtetëror. Ky mjek merr kartelat e pacientëve dhe i mban në zyrën e tij kur si rregull duhet të lihen në punktin e kirurgjisë’ thuhet në dosje.

Halil Gashi i cili ishte administrator i klinikës ‘Megis’ nuk jepen fatura tatimore për operacionet e kryera apo shërbimet e tjera mjekësore të kryera pranë kësaj klinike si skaner, mamografi etj.
Gjithashtu mjekët punonin të paregjistruar si rasti i mjekes Aleta Ymeri (Pere) e cila ka firmosur në kartelën e pacientes B.XH por nuk është mjeke e regjistruar pranë kësaj klinike. Vetë mjekja Alketa Ymeri për këtë u shpreh se ka marrë më shumë prej 10 mijë lekësh nga Edmond Gashi.

Ilaci e Onkologjikut tek farmacia e Florian Markut u ble 1300 euro 
Hetimet janë në vijim të një operacioni të ndërmarrë në janar 2023 të koduar “Rrugëtimi” në kuadër të të cilit u ndaluan 16 persona gjatë sekuestrimit të barnave personave të ndaluar, u zbulua se disa prej barnave janë medikamente për përdorim spitalor, specifikisht në departamentin e onkologjisë.

Veprimet proaktive duke përfshirë përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren, blerjet e simuluara, ashtu edhe me veprime te hapura hetimore, zbuluan rastet e pacientëve të ndryshëm, të cilëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe drejtoheshin në klinika private.

Po kështu, nga ana e Prokurorisë u arrit të dokumentohen raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Prokuroria sjell rastin e farmacise Florian Marku ku është blerë ilaci kontrabandë 1300 euro.

Pranë subjektit farmaceutik ‘Florian Marku” është blerë ilaçi ‘Valmor’ që shërben për të sëmurët me kancer, është bar kontrabandë në vlerën 1300 Euro, i blerë pranë këtij subjekti.
Në momentin e blerjes të këtij, përveçëse kutia nuk ka pasur pullë të vendosur nga AKBPM-ja, barkodi ka qenë i dëmtuar, ç’ka nënkupton barn ose është spitalor i vjedhur i shtetit ose është barn i falsifikuar.

Lanë 3 vjet ‘Kobalto Terapinë’ jashtë kushteve teknike duke u kthyer në burim rreziku

Aparatura ‘Kobalto Terapia’ që ishte blerë që në 2021 nuk ishte vendosur në funksion duke u kthyer në rrezik jo vetëm për mjekët por dhe pacientët.

 Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore rezultoi se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të  diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës. Që të përdoret Kobalto Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjensia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushtetve teknike.

Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqiperi dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekesor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emëton kjo pajisje” informoi prokuroria.

Për këtë prokuroria akuzon zv/drejtoreshën QSUNT-së që mbulonte shërbimin onkologjik,Brikena Qirjazi dhe Drilona Kishta ish specialiste e zyrës së rrezateve pranë QSUNT-së.

“Si zv. drejtoresh e ngarkuar për mbulimin e shërbimit onkologjik nuk ka marr masa për vendosjen në punë të burimit të kobaltit duke mos iu ofruar pacientëve shërbimin e duhur dhe duke lënë si alternativë të vetme burimin e kobaltitit nuk i është lënë zgjedhje pacientëve për mënyrën e trajtimit të tyre, ashtu si bëhet në vendet europiane. Nuk ka marr masa në kohë për zhvendosjen e pajisjes së burimit të kobaltit nga dhoma e vjetër e brakioterapisë në dhomën e kobalo terapisë pavarësisht faktit të hotspoteve që shfaqeshin nga matjet që iu bënë nga eksperti gjerman.
Nuk janë vënë pranë ZMR-së të dhënat e ekspertit edhe pse është kusht për licensimin para momentit të ardhjes së tij në Shqipëri për arsye sigurie.
Është bërë zhvendosja e pajisjes nga dhoma e brakioterapisë në dhomën e kobaltoterapisë, ku edhe këtu pajisja nuk rezulton ende funksionale edhe pse koha e përdorimit të saj po skadon dhe përpos këtij fakti nuk janë marr masat e duhura për zhvendosjen e saj pasi nuk janë bërë nën mbikëqyrjen e ZME-së. Gjithashtu nga ana e saj nuk është lënë një person përgjegjës që të marr në dorëzim burimin e kobaltit” thuhet ne dosje.

Roli i Drilona Kishta

Ekspertiza e dorëzuar (që e ka bërë Drilona) nuk është në përputhje me deklaratën e përfaqësuesve të njësisë së Radioterapisë dhe se ekspertiza duhej kryer edhe njëherë.
Kjo ekspertizë është bërë para porositjes së burimit të kobaltit, çka nënkupton që nga ekspertizë e gabuar është bërë porosia e një burimi përveç kostos financiare nuk është vendosur në punë dhe nuk ka shërbyer as për kurimin e pacientëve.
Nëse i referohemi vendimit nr.638 të datës 07.09.2016 neni 6 i tij mbi “Sistemet e Menaxhimit të mbetjeve radioaktive”, i cili aplikohet në të gjitha fazat e menaxhimit të mbetjeve radioaktive përcakton se ky proces aplikohet në të gjitha aktivitetet që lidhen me sigurimin, sistemit dhe përbërësit në të gjitha fazat e zhvillimit të depos së menaxhimit të mbetjeve radioaktive.
Neni 8 i këtij vendimi përcakton se të licensuarit për aktivitete që prodhojnë mbetej radioaktive sie dhe të licensimit për depon e menaxhimit të mbetjeve radiokative marrin të gjitha masat për kontrollin e tyre si më poshtë:
a.Parandalimin e çdo veprimtarie të paautorizuar në zonën e ruajtjes së mbetjeve radioaktive.
Vendimi nr.801 i datës 11012.2019 neni 5 i saj mbi ‘Përgjegjësinë për mbrojtjen dhe sigurinë’, pika 3 e këtij neni për palët kryesore përgjegjëse për mbrojtjen dhe sigurinë janë:
a.Të licensuarit ose personi fizik, juridik përgjegjës për pajisjet dhe aktivitetet për të cilat kërkohet njoftim.
b. Punëdhënësit në lidhje me ekspozimin në punë
c. Praktikuesit mjekësor radiologjik, në lidhje me ekspozimin mjekësor,thuhet ne dosje.

Sekuestrohet klinika mjekesore ‘Megis’ 10 mije euro ilace kontrabande 
Mësohet se është bërë dhe sekuestrimi i klinikës mjekësore “Megis” me nr.Nipt:L92225026K në pronësi të mjekut Edmond Gashi dhe i është komunikuar që nuk duhet të ushtrojë aktivitetin deri në një moment të dytë.

Gjithashtu eshtë ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash kontrabandë të dyshuara dhe të falsifikuara dhe një shumë lekësh prej 10000 Euro në subjektin farmaceutik me administrator Florian Marku dhe që subjekti kishte të njëjtin emër.

Personat ne hetim
1- Edmond Gashi (Mjek prane Spitalit Onkologjik ne QSUNT)  – akuzohet për “Shpërdorim të detyres” – masa e sigurisë ‘arrest shtëpie”
2- Alketa Ymeri(Pere) (Mjeke prane Spitalit Onkologjik ne QSUNT) – akuzohet për “Shpërdorim të detyres” – masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”
3- Brikena Qirjazi (Zv/Drejtoreshe ne QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik – akuzohet për “Shpërdorim të detyres” – masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”
4- Emiljano Lela – Koordinator prane Spitalit Onkologjik ne QSUNT, – akuzohet për shpërdorim detyre, masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”
5- Halil Gashi – administrator i klinikës private Megis, – akuzohet për ‘Fshehjes se te ardhurave” masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”
6- Florian Marku -administrator i  farmacise Florian Marku per vepren penale te “Tregtimi dhe transportimi I mallrave qe jane kontrabande” dhe “Ruajtja ose depozitimi I mallrave qe jane kontrabande”
6- Drilona Kishta  ish-specialist pranë QSUNT ishte vendosur masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje” parashikuar nga neni 234 të K.Procedurës Penale për veprën penale “Shpërdorim Detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal pasi kjo shtetase ka qënë jashtë shtetit dhe është vendosur njoftim në kufi.

 

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)