Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se “disa njerëz të papërgjegjshëm në Kosovë po përpiqen të na futin në grackë dhe të na bëjnë t’u përgjigjemi atyre ashtu siç e meritojnë”, raporton Tanjug.
Ai u dërgoi një mesazh tjetër atyre që mendojnë se “do të dëbojnë dhe vrasin njerëzit tanë”.
“Ata duhet ta dinë se kjo thjesht nuk do të ndodhë, sepse Serbia nuk është më një kovë, është një vend i njerëzve krenarë, njerëzve të fortë dhe Serbia do ta ruajë lirinë e saj, po aq fort sa edhe paqen e saj”, tha Vuçiç.
“Ne nuk kemi pasur frikë prej tyre, as nga ata banditë që i mbështesin”.
Vuçiç, në këtë prag zgjedhjesh në Serbi, vazhdoi propagandën e tij, duke ddklaruar se pikërisht 23 vjet më parë, NATO-ja ndërmori “një sulm brutal, të tmerrshëm, kriminal dhe çnjerëzor ndaj një vendi të vogël”.
Në ceremoninë në Kraljevë, përveç presidentit të Serbisë, foli edhe patriarku serb, Porfirio, i cili ka mbajtur edhe ceremoni përkujtimore për viktimat e bombardimeve të NATO-s.
Paraprakisht Vuçiç, doli me një mesazh, siç e ka quajtur, “urgjent” për t’i thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më.
“Të nderuar qytetarë, me urdhër të Albin Kurtit është ndërruar kryetarja e Gjykatës Themelore, gjyqtarja serbe Ljiljana Stevanoviç. Për nesër në mëngjes ishte përgatitur shkarkimi i të gjithë policëve serbë që ishin në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Albin Kurti vendosi të sulmojë serbët, ai e shkeli Marrëveshjen e Brukselit dhe, sipas vullnetit të tij dhe atyre që e mbrojnë, Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më”, ka thënë Vuçiç në video-mesazhin e tij.
Vuçiç, në retorikën e tij të zakonshme, më tej është shprehur se “Serbia dëshiron që paqja të ruhet” dhe këtë e pohoi si “paralajmërim për vendet e QUINT-it dhe Komunitetit Ndërkombëtar”.