Donald Trump përuron zyrtarisht Forcën Hapësinore Amerikane, që do të fokusohet tek hapësira.
Shërbimi i ri ushtarak, i pari në më shumë se 70 vjet, do të jetë një degë e forcave ajrore amerikane. Presidenti nënshkroi buxhetin prej 738 miliardë dollarësh për ushtrinë, 40 milionë nga të cilat do të përdoren për financimin e Forcës Hapësinore në vitin e saj të parë.
Në një bazë ushtarake pranë Uashingtonit, Trump e cilësoi hapsirën si fushë-betejën e re në botë: “Shumë gjëra po ndodhin në hapësirë, hapësira është fushë-beteja e re në botë. Mes kërcënimeve të rënda ndaj sigurisë sonë kombëtare, përparësia e amerikanëve në hapësirë është absolutisht jetësore. Ne po kryesojmë, por jo aq sa duhet. Forca e re do të na ndihmojë të frenojmë agresionin dhe të kontrollojmë hapësirën”.
Shërbimi i ri ushtarak nuk synon të dërgojë trupa në orbitë, por ai do të fokusohet në mbrojtjen e aseteve amerikane, të tilla si qindra satelitë që përdoren për komunikim dhe survejim. Zhvillimi vjen ndërsa Kina dhe Rusia kanë shënuar përparime të konsiderueshme në këtë fushë. Forca Hapësinore do të ndërtohet mbi bazën e punës së komandës ekzistuese hapësinore, e krijuar në gusht për të menaxhuar operacionet hapësinore të ushtrisë amerikane.
Shërbimi do të përfshijë rreth 16 mijë pjesëtarë të personelit të forcës ajrore. Ai do të drejtohet nga gjenerali Jay Raymond, i cili aktualisht është në krye të SpaceCom.