Është liruar nga burgu ish-pjesëtari i UÇK-së dhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.
Vendimi është marrë me datë 12 dhjetor nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ndërsa është publikuar sot.
Haradinaj tashmë gjendet në Gjakovë, ka njoftuar Faton Klinaku, u.d. i OVL-UÇK-së.
“Pas një hidhërimi në rastin e Calit, vjen një lajm gëzimi. Sapo mbërriu në Gjakovë shoku Nasim Haradinaj”, ka shkruar Klinaku në Facebook.
Në vendim e Trendafilovas thuhet se pasi është shhqyrtuar tërësia e informacionit që është paraqitur, përfshirë Raportin, është vendosur që për lirimin e Haradinajt në përputhje me rregullën 196 të Rregullores dhe nenin 11 të Udhëzuesit të Punës, për pjesën e mbetur të dënimit të shqiptuar nga Paneli i Gjykatës së Apelit, të zbatohen kushtet në vijim:
-garancia se do të banojë tërë kohën në adresën e shtëpisë, shënuar në Parashtrimet e Haradinajt;
-të informojë Administratoren dhe stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja për ndërrimin e vendbanimit të përhershëm, në varësi të miratimit nga Kryetarja;
-të paraqitet çdo javë në stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja;
-Administratores t’i dorëzohet pasaporta ose dokumentet e udhëtimit të z. Haradinaj;
-të qëndrojë në Kosovë dhe të informojë Administratoren në rast se dëshiron të udhëtojë jashtë Kosovës dhe kërkesa për leje për udhëtim të miratohet nga Kryetarja;
– të mos kontaktojë, as të komunikojë me dëshmitarë ose viktima (të mundshme) para Dhomave të Specializuara dhe ZPS;
– të mos japë deklarata publike drejtpërdrejt ose tërthorazi (vetë ose përmes të tjerëve) lidhur me Dhomat e Specializuara dhe ZPS në;
– të kërkojë leje dhe miratim nga Administratorja për intervista ose çfarëdo kontakti tjetër me median, sikurse përcaktohet në Udhëzuesin e Punës për të Paraburgosurit (Komunikimet me Mediat);
– të përmbushë vendimet ose urdhrat e Dhomave të Specializuara;
-të mos bëjë komente negative, të dhunshme, frikësuese, kërcënuese ose shtrënguese ndaj ose rreth dëshmitarëve (të mundshëm) ose personave të tjerë që janë të rrezikuar për shkak të bashkëpunimit të tyre me Dhomat e Specializuara, dhe ndaj ose rreth zyrtarëve të Dhomave të Specializuara ose të ZPS së.