Dokumentet që i ka siguruar KOHA dhe dëshmitë e familjarëve të pacientëve, ngritin dyshime se si disa nga shërbimet jashtë institucioneve publike shëndetësore nuk kryhen ashtu si janë përshkruar në profaturë dhe nuk përputhen me koston financiare.
Spitalet, për të kompensuar reduktimin e shërbimeve, dyshohet se rrisin artificialisht koston, siç është rasti i një 10-vjeçari, kur për kimioterapi – nga afro 40 mijë sa ishte në profaturë, kalkulohet mbi 120 mijë në faturën përfundimtare. Hulumtimi ka identifikuar edhe raste kur për të njëjtin shërbim pagesa është bërë edhe nga familja edhe nga Fondi për Sigurime Shëndetësore
Dy pagesa për të njëjtin trajtim spitalor të një fëmije pretendohet se i janë paguar një spitali në Turqi. Familja e fëmijës nga Kosova këmbëngul se transplanti i mëlçisë është realizuar falë ndihmës së donatorëve, e në dokumentet për pagesat e ekzekutuara të Fondit për Sigurime Shëndetësore (2018-2021) figurojnë 30 mijë euro të destinuara po për të njëjtin pacient.
Fondi është pyetur nga KOHA për këtë rast dhe për paqartësitë që shfaqen rreth shpenzimeve gjatë trajtimit të pacientëve në institucionet jopublike shëndetësore, por ata nuk janë përgjigjur. Ndërsa, prindi i fëmijës thotë se mund të flasë vetëm për mjetet e siguruara nga qytetarët vullnetmirë e jo për ato që ka paguar Fondi.
“Jo më 2019 nuk kanë pasur çka të paguajnë se ne e kemi paguar me paratë tona. Edhe e kam dokumentin që kam shkuar më 2019 jo më 2020. E kam dokumentin që kam shkuar, thashë këqyri paratë për vajzën janë paguar prej popullit e ju me qato 30 mijë euro një Zot e di çka keni bërë. Thashë ma jep një letër që unë s’i kam marrë qeto pare”, ka thënë ai.
Në programin për trajtim jashtë institucioneve publike, kjo familje ka aplikuar dy herë. Herën e parë, sipas rrëfimit të kryefamiljarit, Ministria e Shëndetësisë ka mbuluar shpenzimet por se transplanti nuk u është realizuar.
“Është diku 13 mijë… jo 30 mijë… Është një përkthyese, ajo qysh me thanë është ndërlidhëse me Ministrinë e Shëndetësisë. Ajo bën dallavere me spital atje, ajo e ka nxjerrë kinse 31 mijë e diçka euro”, ka thënë ky qytetar, identiteti i të cilit është i njohur për KOHËN.
Transplanti, sipas rrëfimit të prindit, në përpjekjen e parë nuk i është bërë fëmijës në mungesë të donatorit. Më 2019 fëmija është kthyer sërish në spitalin “Medipol Mega” në Turqi. Familja e tij kishte aplikuar në Fond, por siç thotë prindi i tij, paralelisht pritjes së përgjigjes nga ky institucion, ata kishin filluar të kërkonin para për t’i ofruar trajtim më të shpejtë fëmijës. Një donator anonim, sipas tij, ua kishte siguruar pjesën më të madhe të parave dhe transplanti është paguar vetëm nga paratë e mbledhura.
Familja paguan 20 mijë euro shtesë
Mungesa e kapaciteteve teknike e profesionale në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ka bërë që në Kosovë të lulëzojë biznesi për trajtimin e qytetarëve me sëmundje të rënda, sidomos fëmijëve, jashtë institucioneve publike.
Ndonëse Fondi për Sigurime Shëndetësore merr përsipër 100 për qind të shpenzimeve për persona nën 18 vjeç, nga dokumentet që ka shqyrtuar KOHA gjatë hulumtimit disamujor, dhe nga dëshmitë e familjarëve të pacientëve, ngritën dyshime se disa nga shërbimet nuk u kryhen siç u shkruhet në profaturë, ndërsa pagesa bëhet sipas zotimit fillestar e herë-herë edhe më e lartë.
Në këtë skemë dyshohet se është përfshirë edhe rasti i një fëmije të moshës 10-vjeçare, i cili në vitin 2019, ishte diagnostikuar me Astrocytoma pilocyticum, Leucemia Acuta.
Fondi siç i takon ligjërisht, ka marrë përsipër pagesën e trajtimit të tij. Spitali Medical Park në Turqi i kishte lëshuar familjes së pacientit profaturë me vlerë 155 mijë euro. Këto mjete ishte përllogaritur se janë të mjaftueshme që fëmijës t’i kryhet transplanti i palcës kurrizore, t’i bëhet radioterapia dhe kimioterapia. Vetëm transplanti, pa asnjë procedurë tjetër, do të kushtonte 100 mijë euro, ndërsa aplikimi i radioterapisë dhe kimioterapisë së bashku 46 mijë euro. Në profaturë ishte kostuar edhe ridiagnostifikimi në vlerë të 9 mijë euro.
Fëmija nuk ka mundur t’i mbijetojë sëmundjes. Ai ka vdekur nga leukemia para se spitali të provonte transplantin. Megjithatë, fatura përfundimtare që i erdhi Fondit të Sigurimit Shëndetësor për pagesë është rreth 140 mijë euro. Në faturë është pranuar që transplanti me kosto 100 mijë euro nuk është bërë fare. Nuk figuron si i kryer as shërbimi i radioterapisë. Por, megjithatë, shuma e përgjithshme mbetet gati e njëjtë. Kjo, për shkak se kostoja e kimioterapisë nga 40 mijë euro sa ishte në profaturë, në faturën përfundimtare është rritur në rreth 122 mijë euro.
KOHA ka kontaktuar me prindin e pacientit. Ai i ka thënë KOHËS se përveç kësaj vlere, ai është detyruar të paguajë edhe 15 mijë euro të tjera në këtë spital dhe të blejë një ilaç në vlerën e 5 mijë eurove. Me arsyetimin se do të nisë procedurat ligjore për kthimin e 20 mijë eurove ai nuk ka dashur të japë detaje të tjera për rastin.
Mospërputhjen mes profaturës dhe faturës finale në këtë rast e ka identifikuar edhe Bordi Ekzekutiv për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore. Nga 138 mijë euro sa kishte ardhur fatura, bordi kishte vendosur që të paguhen 49 mijë euro.
“Aprovohet vlera financiare 49 mijë euro duke u bazuar në kërkesën e komisionit konziliar të SHSKUK-së, raportin e punës dhe financiar të Medical Park në Turqi “, thuhej në këtë vendim. Përmes shkresës së njëjtë ishte shfuqizuar vendimi për aprovimin e vlerës 138 mijë euro, por se pavarësisht këtij vendimi, e njëjta shumë më vonë i është transferuar spitalit Medical Park. Për këtë është në dijeni edhe Bordi Ekzekutiv.
Si me transplant si pa të, fatura 140 mijë euro
Dokumentet e siguruara nga KOHA kanë dëshmuar edhe për të tjera raste kur pacientët nuk marrin shërbimet për të cilat lëshohen profaturat e për pagesën e të cilave Fondi i Sigurimit Shëndetësor merr përgjegjësi. Vlera e profaturave përdoret nga spitalet si “karrem” që të lëshohet fletëvotimi financiar. I tillë është edhe rasti i një fëmije 5 vjeçar i cili në qershorin e vitit 2019 ishte diagnostikuar me Ewing Sarcoma Relapse (kancer i kockave). “Medical Park”, spital në Turqi kishte marrë përsipër shërimin e tij. Në pakon e shërimit kishte paraparë tri lloje trajtimesh.
Trajtimi me radioterapi ishte forma e parë dhe ishte kalkuluar me 8 mijë euro.
“Trajtimi radio terapeutik: 20-35 sesione ambulantore; Ekipi Mjekësor dhe furnizimet e nevojshme për procedurën”, thuhet në profaturë.
Hapi i dytë ishte trajtimi përmes kimioterapisë.
“Gjashtë sesione të kimioterapisë, tarifa për 70 ditë qëndrimi në dhomë standarde, shërbimi i infermierëve, përcjellja mjekësore për 70 ditë, procedurat që lidhën me teste laboratorike dhe radiologji për kimioterapi, ekipi mjekësor dhe furnizimet e nevojshme që nevojitën për kimioterapi”, thuhet me tej në profaturë.
Kjo procedurë është tarifuar 42 mijë euro.
Procedura e tretë ishte transplanti i palcës kockore nga donatori i huaj (jashtë familjes).
Kjo procedurë përfshinte disa shërbime.
“Tarifën e mjekëve, dhomë standarde për 90 ditë dhe shërbimin e infermierisë, radiologji dhe testet laboratorike para transplanti, procedurat që lidhet me standardin e mjekimit, deri në 50 ditë mbikëqyrje ambulancore e pacientit”, thuhet në këtë profaturë.
Këto shërbime së bashku janë kalkuluar në vlerë të 110 mijë eurove.
Fëmija që është trajtuar në këtë spital nuk ka bërë as autotransplant e as transplant të palcës kockore. Ka kryer vetëm trajtimin radioterapeutik dhe kimioterapeutik. Megjithatë, fatura nuk ka pësuar shumë ndryshime. Pa transplantin që ishte paraparë të kushtonte 110 mijë euro, fatura për këtë pacient ka ardhur 140 mijë euro.
KOHA e ka pyetur spitalin për dyshimet e ngritura dhe mospërputhjen mes shërbimeve të ofruara dhe kostos, por ata ende nuk janë përgjigjur.
Programi për Trajtim Jashtë Vendi ka buxhet vjetor 7-10 milionë euro, pa përfshirë paratë shtesë që gjatë vitit kalendarik ndan Qeveria si përgjigje ndaj kërkesave urgjente të Fondit.
Sipas dokumenteve të siguruara nga KOHA, 65 deri 70 për qind e buxhetit për Program Jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore, shpenzohet nga rastet që referohen nga Klinika e Pediatrisë. Nga kjo klinikë referohen pacientët kryesisht për dy lloje sëmundjesh – atë të leukemisë dhe ndërhyrjet në zemër të hapur ose kardiokirurgji.
Dokumentet dëshmojnë se sëmundja leukemisë dhe tumoret kanë kosto trajtimi shumë më të shtrenjtë.