Në një takim të katër ditëve më parë në Vajmar, me homologun e tij gjerman Olaf Scholz dhe atë polak Donald Tusk, u duk sikur Presidenti francez Emmanuel Macron sfumoi të gjitha deklaratat e mëparshme për dërgimin e mundshëm të trupave ushtarake në Ukrainë.
Macron tha se me dy liderët kishte rënë dakord që të mos nisnin kurrë një luftë me Rusinë edhe pse siç theksoi me konfliktin në Ukrainë që mbetet aktiv, “është në rrezik e ardhmja e Europës”.
Por pavarësisht kësaj, në kampin e Vladimir Putin janë të shqetësuar për pohimet e liderit në Paris dhe sipas investigimeve të rusëve, Macron ka gati një plan për t’u bërë pjesë e konfliktit me trupa ushtarake.
Agjencia shtetërore e lajmeve Tass duke iu referuar pohimeve të drejtorit të shërbimit të inteligjencës së jashtme ruse, Sergei Naryshkin, raporton se Kremlini ka informacione se Franca po përgatit një kontingjent ushtarak prej 2000 trupash për ta dërguar në Ukrainë.
“Udhëheqja aktuale e vendit (Franca) nuk kujdeset për vdekjet e francezëve të zakonshëm apo për shqetësimet e gjeneralëve. Sipas informacioneve që vijnë në SVR ruse, një kontingjent që do të dërgohet në Ukrainë tashmë është duke u përgatitur. Fillimisht, ai do të përfshijë rreth 2000 trupa”, tha Naryshkin.
Sipas shefit të inteligjencës ruse, ushtria franceze “ka frikë se një njësi kaq e madhe ushtarake nuk mund të transferohet dhe të vendoset në Ukrainë pa u vënë re”.
“Kështu do të bëhet një objektiv legjitim prioritar për sulmet nga forcat e armatosura ruse. Kjo do të thotë se do të pësojë fatin e të gjithë francezëve që kanë ardhur ndonjëherë në botën ruse me shpatë”, theksoi ai.
Ndërkohë, në krahun tjetër Ukraina shpreson të ketë municion të mjaftueshëm për ushtarët e saj në front, në mënyrë që të zmbrapsë forcat ruse duke filluar nga prilli. Kështu tha kryeministri ukrainas Denys Shmyhal, ndërsa Presidenti Volodymyr Zelensky ka përsëritur sërish thirrjen e tij për më shumë armë nga Perëndimi.
“Ne kemi nevojë për sistemin Patriot, mos i lini raketat të mbulohen nga pluhuri”, tha ai këtë të martë.
“Ne kemi nevojë për më shumë mbrojtje, veçanërisht një numër plotësisht realist të sistemeve të mbrojtjes ajrore që kanë partnerët tanë. Patriot dhe sistemet e tjera duhet të bëjnë atë që janë krijuar për të bërë: të mbrojnë jetët, jo të mbulohen nga pluhuri në magazina. Dua të falënderoj të gjithë ata në botë që e kuptojnë këtë dhe na ndihmojnë të shpëtojmë jetë. Terrori rus duhet të humbë”, shkroi Zelensky në një postim në rrjetet sociale.