Blerim Skoro, 54-vjeç, një burrë nga Prizreni i cili pretendon se punoi për Agjencinë Qëndrore të Inteligjencës amerikane (CIA) si i infiltruar në al-Qaeda, ka dhënë një rrëfim të jashtëzakonshëm për jetën e tij në një bisedë me Shawn Ryan, udhëheqësin e podcastit të njohur amerikan “Shawn Ryan Show”.
Biseda mes Skoros dhe Ryan-it është publikuar në platformat online të podcastit më 8 maj të këtij viti.
Ai, një shqiptar i lindur në Kosovë kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1995 ku kishte kërkuar azil politik. Në vitin 2000, ai ishte kapur duke tregtuar heroinë në Aeroportin e Nju Jorkut. Ishte dënuar me shtatë vjet burgim.

54-vjeçari pretendon se më 12 shtator, 2001 një ditë pas sulmit terrorist në Kullat Binjake në Nju Jork, ishte rekrutuar nga CIA si informator i brendshëm në “luftën kundër terrorizmit”.
Pas daljes nga burgu më 2008, Skoro thotë se u infiltrua në radhët e al-Qaedas. Thotë se i kishte shfryëtzuar lidhjet e tij nga burgu për të qëndruar në kampet e al-Qaedas në Lindjen e Mesme, në Siri, Arabinë Saudite, Pakistanin dhe Irakun.
Gjatë tërë kohës, ai pretendon se vazhdoi të punonte për CIA-n.
Në bisedën me prezantuesin amerikan Shawn Ryan, një ish-pjesëtar i njësisë speciale amerikane Navy Seals, Skoro tha se i infiltruar në radhët e al-Qaedas kishte arritur të bëhej lider i organizatës terroriste islamike për Ballkanin.
“Pasi u rekrutova nga CIA, shkova në Ballkan. Rekrutova shumë persona për al-Qaedan. Ishte shumë e lehtë. Sapo e kuptojnë që kam qenë në Pakistan, ata e dinë mirë për çka kam qenë atje. Ata i shohin paratë. Rekrutët mendonin që al-Qaeda po më financonte, por unë i kisha paratë nga CIA”, tha ai në bisedën me Ryan.
I pyetur nëse e kishte të lehtë të rekrutonte persona për al-Qaedan në Kosovë, Skoro u shpreh se “ishte fare e lehtë”.
“Si i rekrutoje luftëtarët e al-Qaedas? “I takoja vëllezërit Muxhahedin atje. U thoja që jemi të interesuar për vëllezër që duan të luftojnë kundër të pafeve. Ishte fare e lehtë, sidomos në gjeneratat e reja, si kurrgjë hiç”, tha ai.
Sipas Skoros, Kosova është kthyer në një fushë pjellore të islamit radikal. Ai i foli Ryan-it për rastin e policit Muhamed Lika, të vrarë në Kaçanik më 1 prill të këtij viti.
Kosovari pretendon se vrasjën e kanë kryer “persona të al-Qaedas”.
“Shiko… Shawn, vendi im [Kosova, v.j] po bëhet fushë pjellore, edhe pse 90% janë pro ShBA-ve, por dy javë më parë një grup prej shtatë personash, e njoh liderin – do të flasim pastaj për liderin, i cili ishte vrarë nga një dron në Siri – e kanë vrarë policin më të mirë në shtetin tim, i cili po i hetonte ata”, tha ai.
“E vranë para shtëpisë së tij, vetëm dy javë më parë. Të gjithë anëtarë të al-Qaedas”, përfundoi ai.
Kjo nuk është paraqitja e parë publike e Skoros. Ai kishte dal për herë të parë në publik në vitin 2016 në një artikull të New York Times kushtuar historisë së tij të kërkimit të aprovimit të azilit në ShBA dhe lidhjes së pretenduar të tij me CIA-n.
Pastaj, një film dokumentar kushtuar historisë së jashtëzakonshme së tij është realizuar nga regjisori i famshëm britanik, tri herë fitues i çmimeve BAFTA, Anthony Wonke. Wonke është i njohur për regjinë e filmit dokumentar “Ronaldo”, kushtuar jetës së futbollistit Cristiano Ronaldo.
Filmi dokumentar “The Accidental Spy” (Spiuni Aksidental), është publikuar më 2024.

Në vitin 2010, CIA preu lidhjen e saj me shqiptarin, pretendon vet ai në bisedën me prezantuesin Ryan.
Ai thotë se roli i tij si informator i CIA-s në rrjetin e al-Qaedas u zbulua dhe se në vitin 2010 u plagos me katër plumba në Maqedoninë e Veriut, derisa ai thotë se ishte duke hyrë në një ‘shtëpi të sigurt’ të CIA-s në shtetin ballkanik.
Skoro ende nuk e ka kuptuar se si ishte zbuluar, por nga ajo ditë thotë se CIA i preu lidhjet me të. Thotë se u tradhtua nga CIA, e cila nuk e ktheu në ShBA te familja e tij, gruaja dhe dy fëmijët, të cilët janë nënshtetas amerikanë.
Kësisoj, pas disa vitesh qëndrimi në Kosovë, ai udhëtoi ilegalisht për në Kanada, nga ku pastaj ilegalisht hyri në ShBA.
Sot, ai jeton në Nju Jork bashkë me familjen e tij.