Nga Zeqir Bekolli
Ka kohë që në publik është aktualizuar ideja për ndërrimin e lokacionit të stadiumit olimpik të futbollit i cili është paraparë të ndërtohet në zonën ndërmjet territoreve të komunave të Drenasit dhe Fushë-Kosovës, fare afër Zonës industriale.
Ky lokacion, që është fare afër aeroportit “Adem Jashari”, përben një vend tejet të përshtatshëm për një investim të tillë kapital, sepse gjendet buzë autostradës në të cilën janë dy mbikalime (ura) të cilat do t’ua mundësonin qytetarëve të mjediseve të ndryshme hyrje-daljet në stadium pa asnjë telashe. Është e vlefshme të thuhet se në atë zonë asnjëherë nuk bie mjegull, dhe ky fenomen më herët i pat shtyrë shumë ekspertë të mendonin për zhvendosjen e aeroportit të Prishtinës në ato hapësira.
Mirëpo, ka të ngjarë që apetitet e mëdha për tenderomani dhe për zhvatje kohëve të fundit i kanë zgjuar apetitet e individëve dhe grupeve të cilët, po dalin me propozime për zhvendosjen e këtij projekti nga kjo mes zonë, Drenas-Fushë Kosovë, për ta dërguar në lokacionet ku i kanë pronat dhe interesat e tyre. Me këtë zhvendosje ata më pastaj do të mund t’i angazhojnë edhe kompanitë e tyre për ndërtim dhe ta nisin zanatin e vjetër për t’i zhvatur përqindjet e këtij tenderi qindra milionësh.
Këtu është synimi kryesor i “fuqive” të “reja”, që këtë zhvendosje e vënë në plan të parë, duke e konsideruar si copë të madhe ku mund të çukisin mjaftueshëm për oreksin e tyre. Këtij veprimi nuk i vjen aspak era ndryshim!