Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka mohuar se Bashkimi Evropian po heq dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e mbështet Gjermania, Franca dhe SHBA-ja, ashtu siç tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“BE-ja vazhdon të qëndrojë plotësisht pas këtij propozimi dhe inkurajon dyja palët që të bien dakord me tekstin, sapo të jenë të gatshme t’i dëshmojnë komunitetit ndërkombëtar se janë të afta të pranojnë zgjidhjet evropiane”, tha Stano, raporton N1.
“Tani është thelbësore që të dyja palët të shmangin përshkallëzimin, e kërkohet veprim i menjëhershëm nga dyja palët – Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave e Serbia të mos lëshojë targa të reja KM”.
Ai ka shtuar se “nuk mund të ketë negociata për normalizimin me kërcënim aktual të dhunës”.