Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Beograd më 21 gusht se ka marrë mbështetjen e përfaqësuesve të serbëve nga Kosova për një zgjidhje kompromisi për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe.
Presidenti serb tha se ditëve të fundit në mesin e popullatës serbe në Kosovë ka mbretëruar frika dhe tha se ata “janë të mbështetur për muri”.
Ai tha po ashtu se Serbia nuk do të lejojë, siç u shpreh ai, kolona të refugjatëve dhe se në rundin e fundit të dialogut, Kosova ka folur për një marrëveshje përfundimtare prej gjashtë pikash.
Pas konferencës së Vuçiqit dhe deklaratave të tij kanë ardhur reagime nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës, por jo vetëm.
Blerim Vela, shef i stafit në kabinetin e presidentes së Kosovës, ka thënë se institucionet e Serbisë, javët e fundit kanë bërë presion ndaj qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare.
Sipas Velës, një numër i madh i qytetarëve, përshirë edhe serbët e Kosovës, janë intervistuar e arrestuar në pikat kufitare Kosovë-Serbi.
“Javët e fundit, institucionet e Serbisë (përfshirë shërbimin e saj të inteligjencës) në mënyrë sistematike kanë bërë presion ndaj qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare me Kosovën. Një numër në rritje i qytetarëve kosovarë, përfshirë serbët e Kosovës që punojnë për institucionet kosovare, janë arrestuar dhe intervistuar për disa orë në pikat kufitare Kosovë-Serbi”, ka shkruar Vela në Twitter.
Vela tha se bazuar në informacionet paraprake, qëllimi i veprimeve të tilla nga institucionet e Serbisë është frikësimi dhe sigurimi i informacioneve për persona të rëndësishëm në jetën publike të Kosovës dhe institucionet e sigurisë.
Ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq duhet ta dijë se ky presion, siç tha ai, i stilit Millosheviq, do të dështojë.
“Ky presion ndaj qytetarëve të Kosovës dhe shënjestrimi i serbëve të Kosovës që punojnë në institucionet e Kosovës duhet të ndalet. Vuçiq duhet ta dijë se ky presion dhe frikësim i ‘stilit Milosheviq’ do të dështojë!”, ka shtuar ai.
Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një postimi në Twitter është shprehur se presidenti serb ka gënjyer në konferencën e sotme në lidhje me policinë e Kosovës.
Ai është shprehur se në atë konferencë ka pasur shtrembërime të qëllimshme.
“Ministri propagandues i Millosheviqit, Vuçiq në konferencën e sotme ka gënjyer për Policinë e Kosovës. Një zotim nga e kaluara se Ushtria e Kosovës (FSK) nuk mund të shkojë në veri pa pëlqimin e komandës së KFOR-it, është shtrembëruar qëllimisht. Policia e Kosovës është e autorizuar të sigurojë sundimin e ligjit dhe sigurinë për të gjithë qytetarët përreth Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Ka reaguar edhe ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri përmes një postimi në rrjetin social, Facebook ka shkruar në lidhje me konferencën për media të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Ajo ka thënë se duket se prania e e forcave amerikane dje në veri të Kosovës ia zuri në fyt Vuçiqit konferencën për media.
Tahiri gjithashtu theksoi se Vuçiqi e ka shtyrë këtë konferencë disa ditë pas bisedimeve në Bruksel, që ajo i quajti të dështuara.
“Prania e forcave amerikane dje në veri të Kosovës duket se ia zuri në fyt Vuçiqit konferencën për media, të cilën është duke e shtyer tash e disa ditë pas bisedimeve të dështuara në Bruksel”, ka shkruar Tahiri.
Kujtojmë se më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës për të kundërshtur dy vendimet e Qeverisë në Kurtit, për targat dhe dokumentet serbe.
Por, pasi barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit, Qeveria e Kosovës njoftoi për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për një muaj.
Vendimi i parë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS (Republika e Kosovës). Targat me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse KM, PZ e të ngjashme – që lëshohen nga Serbia, konsiderohen ilegale nga Prishtina zyrtare.
Përderisa situata në veri të Kosovës është e qetë dhe stabile, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ditëve të fundit ka rritur prezencën në këtë pjesë të shtetit.