OPINION

Stiropori i Historisë: Kur Serbia Përjeton Kosovën, Pa Kosovën

Shkruan Migjen Kelmendi

Protestat studentore n’Serbi, janë nji prej ngjarjeve ma domethanëse që po ndodhin aktualisht në këtë pjesë të Ballkanit. Guximi, qytetaria, vendosmënia dhe masiviteti i tyne janë dëshmi se Serbia, ky vend i krimeve dhe gjenocidit në shekullin XX, dhe vend i mbytun në autokraci, në abuzim me pushtetin, me lirinë e medias dhe resurset kombëtare në shek. XXI, asht çue n’kambë për me e dëshmue përcaktimin e vet për vlerat civilizuese, qytetarinë, demokracinë dhe me shpall, edhe me numra, mohimin e qeverisjes pa llogaridhanie.

Nuk kam qysh mos me e pa këtë parabollë të metodave që studentat beogradas i kanë zgjedhë për me kontestue qeverine e Vućić, me metodat paqësore të shqiptarëve n’Kosovë, gjatë viteve ’80 dhe ’90 të shekullit të kaluem: marshi qytetar prej qyteteve të Kosovës në shej solidariteti me protestat e minatorëve dhe studentave n’Prishtinë kundër politikave të Miloševiç’it në vitin 1989, njashtu siç u nisën studentat prej Beogradi drejt Novi Sadi pardje, në shej solidariteti kundër politikave dhe qeverisjes së Vućić’it; përcaktimi i tyne për mosbindje qytetare dhe joviolencë, krejt njisoj si shqiptarët e Kosovës.

Serbisë po i ndodhë “Kosova” – pa Kosovën!

Politikat që autokratët serbë, me komoditetin e superioritetit ushtarak, i pëdorshin kundër shqiptarëve n’Kosovë, po ju kthehen sot si 𝘣𝘰𝘰𝘮𝘦𝘳𝘢𝘯𝘨 n’Beograd, Novi Sad, Niš…

Ndaj studentave, qytetarëve të pabindun, dhe protestave paqësore të shqiptarëve, Milošević pat vendos me veprue me dhunë e arrogancë. Por, historia asht e paparashikueshme, të sjell para sfidave të njajta, por me role tjera: a ka me përdorë dhunë Vućić ndaj studentave dhe qytetarëve të pabindun, paqësor si shqiptarët, sot, kur ata s’janë shqiptarë, po serbë?

Historia e pruni qeverisjen n’Serbi para të njajtës situatë: a me përdorë dhunë a jo?

E kanë serbët nji thanje të njoftun: “𝘒𝘰 𝘥𝘳𝘶𝘨𝘰𝘮𝘦 𝘫𝘢𝘮𝘶 𝘬𝘰𝘱𝘢, 𝘴𝘢𝘮 𝘶 𝘯𝘫𝘶 𝘶𝘱𝘢𝘥𝘢”.

Dhe parabolla mes lëvizjes qytetare dhe emancipuese të Kosovës, diku 50 vjet ma përpara, me përpjekjet e sotme n’Serbi për qytetari, emancipim dhe dalje nga ‘𝘱𝘢𝘭𝘢𝘯𝘢𝘤̌𝘬𝘪 𝘮𝘦𝘯𝘵𝘢𝘭𝘪𝘵𝘦𝘵’, e pat edhe nji ngjashmëni frapante: stiroporin!

Në ecjen e studentave prej Beogradi drejt Novi Sadi, në vendin Indjija, atyne ju ofruen nji ‘shpikje shqiptare’ për situata të randa, kur duhesh me kalue natën në fushë: stiropor! (Shih foton).

Gjatë egzodit të qytetarëve prej Prishtine, në vitin 1999, aty në fushën ngat Stacionit të Trenit, ku duhej me pritë trenin e nata ish e gatë, do djem të gjindshëm e patën thye nji magacin dhe i patën gjetë do stiropora, të cilët mandej qytetaret i përdorën për me i izolue familjet prej të ftoftit e lagshtisë së fushës. Krejt njisoj si në Indjija, si në romanin “Darka ndër bomba”! (Ju ftoj me e lexue këtë fragment).

Asgja s’asht ma fantastike se realiteti!

——————————————

“𝗗𝗔𝗥𝗞𝗔 𝗡𝗗𝗘𝗥 𝗕𝗢𝗠𝗕𝗔”

(𝘧𝘳𝘢𝘨𝘮𝘦𝘯𝘵)

Albani s’un u rahatojke aty në tokë e u kthejke sa andej, sa këndej, tuj e mendue a thu sa fëmi apatrida kanë lindë në këte fushë këto ditë. Në ato çaste, andej kah ana e djathtë e Stacionit të trenit, u panë do tablla të bardha, në të cilat u përthejke drita e hanës dhe i bojke si diçka irreale. Shumë shpejt u kuptue se ata katër kopilana, tuj u sillë poshtë e përpjetë nëpër kamp, e kishin gjetë nji magaze atje kah fundi i fushës, e kishin thye dhe kishin zbulue mbrenda tablla stiropori, u konstatue 3 centimetërshe të trasha, me dimensione 1m x 50 cm, të cilat filluen me i çkepë nëpër familje. U ba tollovi andej, dhe s’mujshin krejt me shkue e me i marrë. Ma të fortit, dhe ma të gjindshmit, i merrshin për me jau shtrue ma s’pari pleqve dhe atyne që ishin të smutë, por kur u pa ma vonë se s’ka për të gjithë, ndjenja e solidaritetit e mbisundoi instiktin, filluen me i thye ato tablla në copa ma të vogla dhe me i shpërnda nëpër familje. Për nji moment, ato copa të thyeme stiropori që u çkepën në katër anët e fushës, e në të cilat përthehej drita e hanës së dalldisun, u dokën si shkuma e dallgëve të nji deti të trazuem nga erënat e historisë e providencës. I vetmi që e transcendojke ate moment dhe s’ish i preokupuem me utiliaritetin e stiroporit, ishte Albani.

“O Zot sa bukur”, tha me gjysë zani dhe sillej në bosht për me mujtë me i kapë e shijue ato skena monumentale, ku hana e harlisun drite, drama njerëzore e derdhun në fushë dhe stirpori i rastisun, e krijuen ate aludim deti të trazuem e shkumbuem, ate efekt teatral në skenën e providencës…𝘡̌𝘪𝘷𝘰𝘵 𝘫𝘦 𝘭𝘪𝘫𝘦𝘱…

Sa i futën ndër bythë, dhe u ulën mbi to, gjithçka prapë u qetue, njashtu si deti i qetuem mbas fortune.

(UETPRESS, Tiranë 2024)

 

 


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • POLITIKE

Haxhiu s’vazhdon me votim për zgjedhjen e Presidentit: S’ka kuorum, s’janë 80 deputetë, po e ndërpres

Nuk ka pasur kuorum për raundin e parë të votimit të Presidentit. 66 deputetë ishin…

4 orë ago
  • KRYESORE

S’ka kuorum për t’i votuar amendamentet, seanca për zgjedhjen e Presidentit nga ora 22:00

Nuk ka pasur kuorum për propozimet e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani…

5 orë ago
  • BOTA

Mediat iraniane pretendojnë se Garda Revolucionare e Iranit ka goditur me dronë aeroplanmbajtësen Abraham Lincoln

Televizioni shtetëror iranian raportoi mbrëmjen e së enjtes se dronët e Gardës Revolucionare ushtria ideologjike…

6 orë ago
  • POLITIKE

Kuvendi del me njoftim për seancën e thirrur për amendamentet e Presidentes

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ftuar në seancën lidhur me amendamentet për zgjedhjen e…

6 orë ago
  • KRYESORE

Trump i thotë Teheranit: Unë personalisht do ta zgjedh ajatollahun tuaj të ri!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se dëshiron të përfshihet në zgjedhjen…

7 orë ago
  • KRYESORE

Osmani kërkon ndryshime kushtetuese: Presidenti të zgjidhet direkt nga populli

Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese…

10 orë ago