Me hakmarrje përmes Kanunit i kërcënon profesori në Fakultetin Filologjik, Bekim Bejta, studentet të cilat e raportuan atë për ushtrim të dhunës psikologjike ndaj tyre e përdorim të gjuhës denigruese në ambientet akademike. Këshilli i Etikës e ka vlerësuar profesorin Bejta recidivist për sjellje joetike, porse kjo instancë, në korrik të vitit të shkuar, e ka “dënuar” atë vetëm me ndalim të mentorimit. E, për situatën e përsëritur Këshilli tash ka rekomanduar që Rektorati dhe Dekanati të mbajnë një mbledhje konsultuese më të në “atmosferë akademike dhe profesionale”
“Ajo u nis për me bo të madhe, por vallai na shqiptarë jena, për besë ne pastaj vazhdojmë me kanun. Nuk jam t’u bo hajgare. S’po flas unë për të, se ajo është femër, e me femër është problem, a po më kupton! Por ajo ka meshkuj, e unë shkoj me kanun, s’po bëj hajgare”, ka thënë ai para studentëve, që se është incizuar në periudhën e shtatorit të vitit të shkuar. “Të familjes tem, krejt çka i kam të afërt, krejt kanë kerre, krejt kanë banesa, krejt kanë shtëpia, krejt kanë vende të punës, me thënë që po e lë dikë keq, jo”, vazhdon ai, duke aluduar se nuk ka asgjë për të humbur në qoftë se vendosë të veprojë përmes rregullave tradicionale të parapara në Kanunin e Lekë Dukagjinit.
Elemente të përdorimit të dhunës dëgjohen edhe në një incizim tjetër të profesorit, gjersa u shpjegon studentëve se si ai i zgjidh konfliktet.
“… Dikush qetash ka me hëngër… Ja unë, ja ata. A e dini atë punë? Unë jam dal taman. S’di a po më kuptoni, e kom thirr por nuk janë dal… Me vdek ka me vdek bre një herë. Nuk e kam gajle. Ka me vdek si burrë. Si njeri, jo si ata pisat”, dëgjohet në incizimin tjetër.
Përveç në ligjërata, kërcënimet nuk mungojnë as në komunikimet përmes e-maileve me studentë.
“Je shumë i gërditshëm! Shumë i ligë. I pacipë. Mos gabo të më shkruash ndonjëherë! Meqë je ende student (ndonëse i poshtër) nuk po them tjetër çka. Kur të jesh student, lajmërohu dhe unë e ti flasim ndryshe!”, shkruan në emailin që profesori i ka dërguar njërit nga studentët në nëntor të vitit të shkuar.
Në audioincizim profesori i lëndës “Gjuhësia në studimin e letërsisë” dëgjohet tek u drejtohet studenteve me shprehjet “Majmunkë” dhe “magjitore e Serbisë”.
“Për besë ti nuk e meriton unë me qenë xhentëlmen, por isha xhentëlmen, por po shpresoj që për ty, tani e kupton ‘shkinën’ ose ‘rrencin’”, dëgjohet duke i thënë një studentes.
E, një nga studentët që e ka denoncuar profesorin Bejta ka thënë se fakulteti i është kthyer në vend të pasigurt.
“Gjuhën që e përdor profesor Bejta gjatë ligjëratave është e papranueshme për mua. Është joetike dhe në një ambient akademik si universiteti nuk do të duhej të ndodhte. Mirëpo ai përdor shprehje si ‘hipokritë’, ‘ju jeni hipokritë, ju jeni kurrkushi’, pastaj ka përdorur edhe gjuhë të tjera, ‘ajo është prostitutë, ka punuar si prostitutë në Itali, e ka ardhë me mbajtë mësim në Kosovë’”, ka thënë ajo në kushte anonimiteti, me shkas që ta mbrojë shëndetin mental të saj nga bullizimi i profesorit.
Një tjetër studente që ka thënë të jetë viktimë e sjelljeve të profesorit ka treguar se në ligjërata Bekim Bejta është lavdëruar edhe për përvoja intime me ish-studente të tij.
“Një rast tjetër që për mua ka qenë skandaloze, gjatë ligjëratës ka treguar histori intime me ish-studente të tij, dhe në momentin që unë e kam prishur fytyrën, në rast habie se si një profesor po i flet këto gjëra në një ligjëratë, ai më është drejtuar se unë këto gjëra i foli sepse unë e di qysh jeni ju”, ka thënë ajo, po ashtu në kushte anonimiteti.
“Unë i trentë jam. As familje, as kurrgjë s’e kam gajle”
Në ankth është ndier gjatë ligjëratave të Bekim Bejtës edhe një studente tjetër. Ajo e denoncoi profesorin në tetor të vitit të shkuar.
“Në çdo ligjëratë ai e gjente diçka për të më kritikuar duke thënë: ‘Pse po e vendos këmbën mbi këmbë’, ‘pse po e lëviz këmbën’, ‘Pse po e hap gojën’, ‘Pse po m’i hap sytë”, ka thënë ajo. “Madje më ka thënë: ‘shyqyr që je femër se me pas kanë mashkull ndryshe ishim marrë vesh’”, tregon tutje ajo.
Përveç kërcënimeve e gjuhës denigruese, ai dyshohet se ka bërë dallavere në vlerësimin e studentëve. Në audioincizim dëgjohet teksa u flet studentëve për një ofertë që ua kishte bërë në muajin qershor, që do t’iu ndihmonte atyre të kalonin provimin, në kohën kur ishte nën llupën e Këshillit të Etikës.
“Ofertën e kom pasë bo në qershor që t’ju kalojë. Edhe besoj se gjinja ua kanë përcjellë. A është qashtu? Edhe ka pasë pyetje, sene-vene a po kupton. Kur duna me kry punë d.m.th. as nuk kom thonë “hajde as k’si, as asi” e ju lypshi llogari”, dëgjohet duke iu thënë studentëve.
Profesori dëgjohet duke i kushtëzuar disa studente me përshkrimin e faqeve të një nga librat e tij, në këmbim të notës. Këtë ai iu kërkon ta mbajnë sekret e i paralajmëron për pasojat që do të ballafaqohen, nëse veprojnë ndryshe.
“Pse nuk rrinë urtë? Duhesh me nejt urtë. S’duhet të më bësh stila. S’dua arrogancë. Unë ta fali notën. Pastaj duhet të bëjë horë midis rrugës. Edhe vallahin ta bëjë, vallahin po. A çka jam unë! Ju kom treguar. Unë edhe privat masanej, hiç s’e kam gajle”, dëgjohet duke i thënë njërës nga studentet. “Veç mundesh me shti në bela familjen tënde. Unë i trentë jam. As familje, as kurrgjë s’e kam gajle. S’di a po kupton?. Veç kam qef majmunët m’u rrok me majmunët”, vazhdon tutje duke i thënë studentes.
E, në njërin nga grupet e studentëve në viber, dy vajza në rolin e ndërmjetësueseve ua shpalosin ofertën kolegëve të tyre për të kaluar provimin.
“E krijova këtë grup shkaku që me pasë kontakt me krejt përnjëherë. Shpresoj që nuk ju pengon. D.m.th. arsyeja është që mundemi me ua rregullu notën te profesori Bekim për afat të shtatorit, nëse doni”, ka shkruar njëra nga studentet.
E studentja tjetër iu tregon se ka arritur marrëveshje me profesorin Bejta për provimin.
“Ju e dini tashmë ndikimin që kemi, dua të them ne të dyja, në çdo temë të profesorit… Kështu që, të gjithë ju do ta kaloni, nuk mund t’iu premtojmë asgjë sa i përket se a mund ta zgjidhni lëndën për këtë semestër se varet nga profesori. Por edhe pse ai është i inatosur me disa prej jush, ne kemi arritur të bisedojmë me të dhe kemi vendosur t’ju kalojmë”, ka shkruar ajo në grupin e studentëve.
KOHA ka kontaktuar profesorin Bejta, i cili i ka mohuar akuzat dhe ka thënë të ketë qenë i provokuar nga studentet. Nëpërmjet e-mailit ai u shërbye edhe me gjuhë kërcënuese.
“150.000 euro janë në dispozicion kundër të gjithëve që po më shkaktojnë probleme… Incizimi (plus montazhi) është vepër penale. Ta keni parasysh. Ju ndjeki ligjërisht max tërë jetën në rast eventual”, thuhet në e-mailin e Bejtës.
Sipas Rregullores për masat dhe procedurat disiplinore ndaj stafit akademik, manipulimi i procesit të vlerësimit të studentëve kualifikohet si shkelje e rëndë. Masat ndëshkuese për këtë janë: mohimi i përfshirjes në mentorim, ulje në pozitë, mosavancim deri në tre vjet, ulje në tituj akademikë, revokim i gradës shkencore dhe ndërprerje të marrëdhënies së punës.
Këshilli i Etikës i rekomandon rektorit diskutim në “atmosferë akademike” me Bejtën
Për sjelljet joetike të profesorit të asociuar Bekim Bejta, në ambientet akademike është e njoftuar hallka menaxhuese e Universitetit të Prishtinës. Siç merr vesh KOHA, denoncime ndaj profesorit ka pasur ndër vite në Departamentin e Anglishtes, në Dekanat e edhe në Rektorat.
Por, profesori i cili është i angazhuar mbi 15 vjet në UP, është dënuar për herë të parë nga Këshilli i Etikës, në korrik të vitit të shkuar, pasi një studente e raportoi atë për ushtrim të dhunës psikologjike e përdorim të gjuhës denigruese.
“Këshilli i Etikës konsideron se profesor Bejta ka pasur sjelle joetike, jokolegiale dhe joakademike ndaj palës denoncuese dhe madje në vazhdimësi. Këshilli është i bindur në objektivitetin e dëshmisë me shkrim dhe të paraqitura në seancë dëgjimore nga ana e palës denoncuese. Këshilli i Etikës është i bindur se prof. Bejta me sjellje të veta kalon dukshëm suazat dhe kornizat e sjelljes liberale të lirisë akademike”, është thënë në vendimin e Këshillit.
Në vendim, Këshilli ka konfirmuar se profesori është recidivist i sjelljeve joetike. E, për veprimet e tij të përsëritura ky organ e ka ndëshkuar atë me ndalimin e përfshirjes në mentorim në të gjitha nivelet.
“Si rrethanë rënduese është marrë fakti se i denoncuari ka vepruar me dashje direkte dhe nuk ka shfaqur as më të voglin pendim për sjelljet e tij jokolegiale dhe joakademike ndaj koleges. Gjithashtu Këshilli i Etikës ka pasur në konsideratë edhe situatën recidiviste të prof. Bejtës në ambientet akademike”, është thënë në vendim.
Si zgjidhje për çështjen, Këshilli ka rekomanduar që Rektorati së bashku me Dekanatin e Fakultetit të Filologjisë të mbajnë një mbledhje konsultuese me profesorin Bejta.
“Meqë prof. Bejta në vazhdimësi po denoncohet për sjellje joakademike sidomos në ligjërata, Këshilli i Etikës ka arritur në përfundim se një konsultim përkatës në Rektorat dhe me Dekanatin e Fakultetit të Filologjisë është më se i domosdoshëm. Kjo do t’i shërbente ruajtjes të qetësisë dhe paqes akademike në Universitet për të ardhmen”, është thënë në vendim.
Të premten Këshilli i Etikës ka marrë një vendim për ankesën e njërës nga studentet për kërcënim e gjuhë denigruese të profesorit të Filologjisë, Bekim Bejta. Me gjithë që në vendim Këshilli konstaton sjelljet joetike të profesorit, atij nuk i shqipton ndonjë masë ndëshkimore.
Në të vetëm është kërkuar që Rektori i UP-së së bashku me stafin menaxherial do të diskutojë me profesor Bejtën në atmosferë akademike dhe profesionale me qëllim që shqetësimet e tilla të tejkalohen në të ardhmen duke u respektuar liria akademike, sjella etike dhe profesionale dhe ruajtja e qetësisë dhe rendit akademik në ambientet e Universitetit.
E pikërisht për shkak të ndëshkimeve e vërejtjeve simbolike të Këshillit të Etikës, një studente ka thënë se nuk e ka denoncuar atë në këtë këshill.
“Arsyeja se pse nuk e kam denoncuar në Këshillin e Etikës profesorin në fjalë, edhe pse kam pasur presion për dhunë psikologjike për dy vjet rresht, është se e kam parë se si nuk janë marrë parasysh ankesat nga instancat e fakultetit”, ka thënë ajo.
Kryetari i Këshillit të Etikës, Iset Morina, dhe sekretari i përgjithshëm, Besfort Krasniqi, nuk kanë treguar se pse nuk janë trajtuar ankesat e studentëve. As rektori Qerim Qerimi nuk është deklaruar për këtë çështje.
Dekania e Filologjikut, Lindita Rugova, nuk ka pranuar të flasë me arsyetimin se Këshilli i Etikës është duke i shqyrtuar ankesat ndaj profesorit.
Për rastin e Bejtës nuk ka ende qëndrim në Ministrinë e Arsimit, ndonëse njëra nga studentet ka thënë se e ka njoftuar edhe këtë institucion për problemet me profesorin Bekim Bejta.