Ayesha Imthiaz, një myslimane e devotshme indiane e cila e konsideron mbajtjen e hixhabit një shprehje përkushtimi ndaj Profetit Muhamed, thotë se vendimi i kolegjit të saj për të dëbuar vajzat me hixhab është një fyerje që do ta detyrojë atë të zgjedhë midis fesë dhe arsimit.
“Poshtërimi që m’u bë kur më kërkuan të lëshoja klasën pse kam vënë një shall në kokë nga zyrtarët e kolegjit më ka tronditur”, tha studentja 21-vjeçare nga shteti indian i Karnatakës, njofton Klan Kosova.
“Feja ime është vënë në pikëpyetje dhe është fyer nga një vend që e kisha konsideruar si tempull arsimi”, tha ajo për Reuters.
“Kjo është më shumë sikur të na thonë neve nëse duhet të zgjedhim mes fesë apo arsimimit dhe kjo është shumë gabim”, tha ajo pas pesë vitesh studim në kolegjin “Mahatma Gandhi Memorial”.
“Disa vajza myslimane që protestuan kundër këtij vendimi kishin marrë telefonata kërcënuese dhe u detyruan të qëndronin brenda”, shtoi ajo.
Zyrtarët e kolegjit thonë se studentëve u lejohet ta mbajnë shaminë në kampus dhe u kërkohet ta heqin atë vetëm brenda klasës.
Udupi, ku gjendet kolegji, është një rajon i ndjeshëm fetar, i cili është një bastion i partisë së djathtë të kryeministrit Narendra Modi.
Vendimi ka rritur frikën dhe zemërimin mes pakicave myslimane, të cilët thonë se kushtetuta e vendit u jep atyre lirinë për të veshur çka të duan. Protestat për ndalimin e shamisë në shkolla janë përshkallëzuar, me qindra që demonstruan këtë muaj në Kalkuta dhe Chennai.
Javën e kaluar, një gjyqtar në gjykatën e lartë të shtetit i referoi peticionet që kundërshtonin ndalimin e shamisë tek një panel më i madh.