Gjykata e Lartë e Suedisë bllokoi të hënën ekstradimin e një gazetari turk në mërgim, një kërkesë kyçe e Ankarasë zyrtare për të ratifikuar anëtarësimin e Stokholm-it në NATO.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.
Këto ishin “disa pengesa” për kthimin e ish-kryeredaktorit të së përditshmes “Zaman”, Bulent Kenes, të cilin Turqia e akuzon se është përfshirë në një përpjekje të vitit 2016 për të rrëzuar presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, tha gjykata.
Kjo, duke përmendur natyrën politike të akuzave dhe statusin e refugjatit të Kenes në Suedi.
“Është thelbësore që Suedia të ekstradojë terroristët e kërkuar nga Turqia, duke përfshirë figurën e lartë të FETO-s, Bulent Keneş”, tha Erdogan në Ankara të martën e 8 nëntorit, pasi takoi për herë të parë kryeministrin e ri të Suedisë.
Keneş është një redaktor turk në mërgim, i cili dikur drejtonte gazetën “Zaman” dhe u burgos për postime në Twitter që konsideroheshin fyese për Erdoganin.
FETO është emri për ndjekësit e Fethullah Gylenit, një lider mysliman me bazë në SHBA, të cilin Erdogan e fajëson për organizimin e një grushti të dështuar në vitin 2016.
Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’u bashkuar në maj për të mbrojtur veten nga agresioni rus, por ata janë ende duke pritur që Turqia dhe Hungaria të ratifikojnë pranimin.
Turqia i kishte kërkuar më parë Suedisë ekstradimin e 73 të dyshuarve terroristë, kryesisht nga grupet separatiste kurde, si PKK dhe YPG.
Suedia deri më tani ka ekstraduar vetëm një shtetas turk, më 31 gusht, sipas një letre suedeze drejtuar Turqisë, të publikuar në agjencinë e lajmeve Reuters muajin e kaluar.