Sulmet e fundit ajrore turke në veri të Sirisë kërcënuan sigurinë e personelit ushtarak amerikan dhe situata në përshkallëzim rrezikoi përparimin e arritur ndër vite kundër militantëve të Shtetit Islamik.
Kështu tha Pentagoni në një deklaratë të publikuar së fundmi.
Ndërkohë, Turqia ditë më parë u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të ndalojnë mbështetjen për milicinë kurde siriane pas një përshkallëzimi të sulmeve hakmarrëse përgjatë kufirit.
Washingtoni ka paralajmëruar se ishte kundër veprimeve ushtarake që do të destabilizonin Sirinë.
Moska, e cila është aleate me Damaskun, i bëri thirrje gjithashtu Turqisë të tregojë përmbajtje në përdorimin e forcës ushtarake “të tepruar” në Siri dhe të mbajë tensionin nga përshkallëzimi.
Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga YPG thanë se 15 civilë dhe luftëtarë u vranë në sulmet turke në ditët e fundit.
Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Aka,r u zotua të vazhdojë operacionet kundër militantëve.
“Ne u themi të gjithë partnerëve tanë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara, në çdo nivel, se YPG është e barabartë me PKK-në dhe këmbëngulim me kërkesën tonë që ata të ndalojnë çdo lloj mbështetjeje për terroristët”, i tha Akar një komisioni parlamentar në një fjalim.
Një fëmijë dhe një mësues u vranë dhe gjashtë persona u plagosën të hënën kur bombat me mortaja goditën një zonë kufitare në provincën Gaziantep të Turqisë.
Forcat e saj të armatosura u përgjigjën me avionë duke goditur sërish objektiva në Siri.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA tha se Washingtoni i kishte komunikuar shqetësimet e tij serioze Ankarasë për ndikimin e përshkallëzimit në qëllimin e luftimit të Shtetit Islamik.
“Ne i kemi kërkuar Turqisë kundër operacioneve të tilla, ashtu siç i kemi kërkuar partnerëve tanë sirianë kundër sulmeve ose përshkallëzimit”.
Shtetet e Bashkuara janë bërë aleate me SDF-në e udhëhequr nga YPG në luftën kundër Shtetit Islamik në Siri, duke shkaktuar një përçarje të thellë me Turqinë.
Turqia tha se avionët e saj luftarakë shkatërruan 89 objektiva në Siri dhe Irak të dielën, me 184 militantë të vrarë në operacionet që synonin YPG dhe PKK të dielën dhe të hënën.