Sulmi me raketa në Poloni, a po fsheh NATO të vërtetën për të shmangur Luftën e Tretë Botërore?

Vazhdojnë ende dyshimet dhe diskutimet për origjinën e raketës ruse, me zyrtarë amerikanë dhe europianë që kanë bërë thirrje për hetime të mëtejshme ndërsa presidenti ukrainas Zelensky vazhdon të këmbëngulë se raketa ishte ruse, sipas Daily Mail.

Presidenti polak Andrzej Duda dhe krerët e NATO -s hodhën poshtë dyshimet se Rusia kishte lëshuar raketën S-300 që goditi Przewodow të martën, duke shkaktuar dy viktima dhe duke ngritur dyshimet se në fakt ishte një raketë e përdorur nga forcat e mbrojtjes ukrainase për të rrëzuar ato ruse.

Në këtë mënyrë, ata hedhin poshtë aktivizimin e Nenit 4 dhe 5, gjë që mund të shkaktojë Luftën e Tretë Botërore.

Por presidenti Zelensky këmbënguli se raketa nuk ishte ukrainase, bazuar në inteligjencën ushtarake dhe akuzoi aleatët perëndimorë të Ukrainës se nuk lejuan këtë të fundit të marrë pjesë në hetime.

Kurt Volker, ish i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ukrainën, tha se Kievi ka sisteme ‘shumë të sofistikuara’ të gjurmimit të raketave dhe ‘e di shumë mirë se çfarë po ndodh. Megjithëse ai nuk miratoi në mënyrë specifike versionin e ngjarjeve të Zelensky-t, ai bëri thirrje që Ukraina të përfshihej në hetimin e raketave, raporton abcnews.al.

Ukrainasit kanë sisteme shumë efikase të mbledhjes së të dhënave- ata kanë radarë të mirë, ata mund të gjurmojnë çdo raketë, unë kam qenë në selinë e tyre ku ata e bëjnë këtë,” tha ai për Washington Examiner.

‘Ata e dinë se çfarë po ndodh. Jam i sigurt që polakët po bëjnë të njejtën gjë. Pra, polakët dhe ukrainasit duhet të flasin me ekspertët e tyre dhe të shikojnë të dhënat e tyre dhe të arrijnë në përfundime të sakta.”

Një zyrtar europian tha se ishte ‘i habitur’ nga versionet e ndryshme të ngjarjeve, duke theksuar se pretendimet se raketa ishte ukrainase kanë ‘qetësuar situatën’ për NATO-n, të paktën tani për tani.

Në pamje të parë, duket se NATO ka arsye më të madhe për të minimizuar incidentin e raketave sesa Ukraina. Nëse udhëheqësit do të kishin thënë se ekzistonte mundësia që raketa të ishte ruse, kjo do të ushtronte presion mbi ta për të zbatuar Nenin 4 ose Nenin 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, duke ndezur debate mbi kërcënimin ose përgjigjen e mundshme ushtarake ndaj një sulmi.

Kjo mund ta kishte tërhequr aleancën në luftën e Ukrainës, duke u përfshirë drejtpërdrejt në një luftë kundër Rusisë – një situatë që Joe Biden e ka përshkruar më parë si “Lufta e Tretë Botërore”.

NATO e ka bërë të qartë që nga fillimi i luftës se qëllimi i saj është të ndalojë përhapjen e konfliktit përtej kufijve të Ukrainës.

Ndërkohë Zelensky duket se ka shumë pak arsye për të rrezikuar të largojë aleatët e tij duke i kundërshtuar ata në publik, duke pasur parasysh se sa shumë mbështetet vendi i tij në ndihmëb ushtarake dhe financiare për të vazhduar luftën kundër Putinit, raporton abcnews.al.

Ndërsa përfshirja e NATO-s drejtpërdrejt në luftë, për shembull, duke vendosur një zonë të ndalim-fluturimit  do të ishte në avantazhin e Ukrainës, Zelensky ka lobuar për aktivitete të tilla për muaj me radhë gjithsesi dhe nuk e ka përdorur ende sulmin me raketa të së martës si një arsye për të përsëritur edhe një herë ato thirrje.

Në vazhdën e një sërë humbjesh poshtëruese për Rusinë, gjeneralët e Putinit kanë ndryshuar taktikat nga përpjekja për të mundur Ukrainën në fushën e betejës në përpjekjen për të vështirësuar jetën e civilëve deri në vdekje gjatë dimrit.

Moska ka lëshuar një sërë raketash dhe dronë të prodhuar nga Irani, që synojnë të shaktërrojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe të hedhin në erë infrastrukturën e saj të energjisë dhe ujit, duke i bërë qytetet të pabanueshme.