Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri të shtunën së bashku me një tjetër person ishin cak i një sulmi fizik në mes të qytetit.
Lidhur me këtë rast tashmë dy të dyshuarit gjenden në ndalim policor.
Gjatë ditës së djeshme në Gjykatën Themelore të Pejës është mbajtur seanca dëgjimore, ku Prokuroria Themelore e Pejës kërkoi që të njëjtëve tu caktohet masa e paraburgimit.
Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi ka thënë për Telegrafin se ende nuk kanë marrë përgjigje nga gjyqtari nëse është aprovuar kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve.
Ai bëri të ditur se të njëjtit dyshohet se kanë kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “lëndim i lehtë trupor”.
Nikçi gjithashtu theksoi se deri tek sulmi ndaj kryetarit Muhaxheri dyshohet se ka ardhur si pasojë e një investimit të ujësjellësit nga Komuna e Pejës në fshatin Stankaj të Rugovës.
“Të dyshuarit janë vëllezër dhe vijnë nga fshati Stankaj i Rugovës dhe dyshohet se për shkak të detyrës zyrtare që ka kryer kryetari i Pejës, respektivisht Komuna e Pejës në zonën e Rugovës në fshatin Stankaj lidhur me një ujësjellës, dyshimet fillestare janë se për këtë arsye është sulmuar kryetari”, tha Nikçi.
Ai shtoi se të pandehurit dyshohet se kanë qenë kundër këtij investimi nga komuna në këtë fshat dhe se për këtë arsye kanë sulmuar kryetarin.
Nikçi theksoi se hetimet do të zbardhin të gjitha detajet rreth këtij rasti, derisa u shpreh se “Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë që të intervistohen persona të ndryshëm, rreth këtij rasti”.