Suspendohet kryeshefi i “Infrakos”, Agron Thaçi

Bordi i ri i “Infrakosit” ka marrë vendim që ta suspendoj kryeshefin ekzekutiv Agron Thaçi.

Kështu kanë bërë të ditur burime të Gazeta Blic të afërta me “Infrakosin”.

“Bordi ka marrë vendim që ta suspendoj kryeshefin e Infraskosit, Agron Thaçin”, tha ky burim.

Sipas këtij burimi, arsye për këtë shkarkim është aktakuza që ka Thaçi, që i është ngritur kohë më parë nga ana e Prokurorisë.

Gazeta Blic ka kontaktuar kryetarin e Bordit të ri të “Infrakosit”, Enis Berishën, por ky i fundit ka kërkuar që të kontaktohet zyra për media.

Nuk dihet nëse Agron Thaçi është larguar edhe nga projekti 209 milionësh për rehabilitimin e linjës hekurudhore Hani i Elezit- Leshak. As për këtë çështje nuk ka pranuar të flas kryetari i Bordit, Enis Berisha.

Gazeta Blic ka provuar ta kontaktoj edhe Agron Thaçin, mirëpo në telefonin e tij është lajmëruar dikush tjetër, duke thënë se Thaçi gjendet në mbledhje.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme janë shkarkuar edhe drejtuesit e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se drejtori ekzekutiv i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” është liruar nga detyra dhe është kthyer në pozitën e mëhershme si drejtor për konsumatorë.

“Këtu jemi sot bashkë me misistren e Ekonimisë për shkak se është mbajtur mbledhja e jashtëzakonshme nga bordi i përkohshëm i Ujësjellësit në të cilën është vendosur të shkarkohet zëvendës kryeshefi ekzekutiv dhe është kthyer në pozitën e mëparshme si drejtor për konsumatorë, gjithashtu vlen të theksohet nuk është shkarkuar auditori i brendshëm që kishte kryer punën e tyre me profesionalizëm”, ka bërë të ditur Kurti.

Gjatë ditës së djeshme, edhe deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci ka kërkuar që të shkarkohet kryeshefi i “Infrakosit”, Agron Thaçi për shkak të aktakuzës.