Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka ndarë përmes rrjeteve sociale një video, ku dëshmohet shpërndarja e armëve të gjata nga persona të paidentifikuar në Mitrovicë.
Sveçla, përmes videos, iu përgjigj deklaratave të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili tha se grupet e maskuara janë aty për të mbrojtur banorët lokal serbë nga agresorët.
Sveçla tha se këto grupe në masë të madhe janë infiltruar në Kosovë nga territori i Serbisë.
Sveçla tha mes 31 korrikut dhe 1 gushtit në Mitrovicën e veriut u shpërndanë armë të gjata derisa Policia e Kosovës u sulmua me municion vdekjeprurës.
Në konferencën e sotshme, ministri i Brendshëm Sveçla, ka thënë se janë duke u zhvilluar hetime intensive për grupet e armatosura dhe të uniformuara në veri të vendit, por se nuk mund të përgjigjet në pyetje konkrete për mosdëmtim të procesit.
Ai tha se këto grupe që sulmojnë funksionimin e sovranitetit dhe ruajtjes së integritetit të Kosovës janë të financuara dhe udhëhequra nga Aleksandar Vuçiq dhe qeveria serbe.
“Janë duke u bërë hetime intensive për këto çështje, andaj edhe do të isha pak i rezervuar për këtë. Por, ne në vazhdimësi kemi thënë që të gjitha grupet të cilat janë të organizuara në drejtim të luftimit të shtrirjes së sovranitetit dhe ruajtjes së integritetit territorial të institucioneve të Kosovës, jo vetëm se janë të cytura, por janë edhe të financuara e të udhëhequra nga Aleksandër Vuçiq dhe qeveria e Serbisë. Dhe kemi dëshmi për prezencë të grupeve të armatosura, të uniformuara me maska në natën e 31 korrikut. Instituiconet tona janë të përkushtuara që t’i identifikojnë të gjithë ata. Është hera e parë që edhe vet presidenti i Serbisë konfirmon një gjë të cilën ne e kemi thënë para një kohe”, ka deklaruar Sveçla për rastin në fjalë.
Share Now