Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin pritet që në mbledhjen e sotme të shkarkojë Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Hekurudhat e Kosovës”, Infrakos, një javë pasi që morën vendimin për shkarkimin e Bordit të Telekomit të Kosovës.
Në krye të Bordit të Infrakosit ishte emëruar në mandat të dytë me një vendim të qeverisë së Ramush Haradinajt, Enver Aruqaj, si kryesues.
Aruqaj kishte qenë një nga njerëzit më të afërt të Partisë Demokratike të Kosovës, një ushtarak që kishte qenë këshilltar i Hashim Thaçit dhe Bajram Rexhepit, kur të dy këta mbanin postin e kryeministrit.
Si anëtar i Bordit ndërkaq është edhe Lundim Camaj. Camaj është i afërt me Partinë Demokratike të Kosovës, saktësisht me Xhavit Halitin, simpatinë për të cilin nuk heziton që ta shpreh edhe në rrjete sociale.
Në bord ndërkaq është edhe Enis Berisha, që dikur kishte qenë drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.
Ai ishte bërë i famshëm pas deklaratave se kishte aplikuar shtatë herë në pozita të larta, dhe nuk ishte emëruar.
Në anën tjetër, i afërt me PDK-në është edhe anëtari tjetër i bordit, Nagip Skenderi. Ai kishte qenë sekretar në MPJ, gjatë kohës sa këtë dikaster e udhëhiqte Enver Hoxhaj, derisa momentalisht është profesor në Fakultetin Ekonomik.
Arben Dodaj në anën tjetër është i afërt me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, derisa, në rrjete sociale ka fotografi të tij me njerëz që mbajnë pozita të larta në partinë që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.
Bordi i Infrakosit ishte emëruar në datë 2 prill të vitit të kaluar, në mbledhjen e qeverisë që udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.
Lajmin për shkarkimin e tyre e kanë kundërshtuar mbrëmë përmes një komunikate për media.
Nga Infrakosi kanë paralajmëruar se nëse Qeveria do të marr vendim për shkarkim, ata do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore. Tutje, shtojnë se janë përzgjedhur sipas procedurave ligjore dhe konkursit publik.
“Gjatë kësaj periudhe Bordi ka kryer te gjitha detyrat me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë ligjore dhe etike. Në lidhje me këtë nuk kemi pranuar asnjëherë ndonjë vërejtje nga aksionari, auditorët e brendshëm apo te jashtëm. Andaj, shtrohet pyetja si ka mundësi te behet shkarkimi i Bordit ende pa u dorëzuar Raporti Vjetor i Punës i vitit 2019 nga ndërmarrja, pa u mbajtur Takimi Vjetor i Aksionarit (përfaqësuesit te Qeverise) si dhe pa u bere vlerësimi i performancës se Bordit. Për me tepër, ne si Bord nuk jemi thirrur asnjëherë nga aksionari ne ndonjë takim konsultues apo te punës për te diskutuar ne detaje rreth punëve, rezultateve, te arriturave dhe sfidave ne këtë ndërmarrje”, thuhet në njoftim.
Bordi i “Infraskos”-it ka cituar Ligjin për Ndërmarrje Publike , duke theksuar se përcakton qarte mbikëqyrjen e Bordit nga Qeveria, si dhe sqaron mënyrën e vlerësimit të performancës.
“Neni 7 paragrafi 7.2: Nëse performanca e NP-se devijon nga caqet e përcaktuara nga Plani I Biznesit te miratuar nga BoD për vitin perkates financiar, Aksionari do te kërkojë nga BoD te përgatis dhe dërgoj një raport i cili shpjegon arsyet për performances e dobët. Neni 7 paragrafi 7.3: Nëse një ndërmarrje publike dështon në arritjen e caqeve të saj të performancës për dy vite financiare radhazi, personi(at) përgjegjës për ushtrimin e të drejtave përkatëse të aksionarit është i detyruar që të marrë parasysh shkarkimin dhe zëvendësimin e Bordit të Drejtorëve ose shumicës së anëtarëve të tij. Një veprim i këtillë mund të ndërmerret edhe në mungesë të provave bindëse të neglizhencës nga Bordi ose anëtarët përkatës të bordit, përveç nëse Aksionari(ët) konstatojnë se performanca e dobët ka ndodhur kryesisht për shkak të rrethanave ose ngjarjeve negative të paparashikueshme “, citohet ligji në njoftim.
Bordi i drejtorëve thotë se gjatë kësaj periudhe disa muajshe të ushtrimit të detyrës ka marrë vendime të cilat kanë shkuar në dobi të ndërmarrjes, duke ulur shpenzimet në masën rreth 25%, ka realizuar të hyrat që varen nga ndërmarrja mbi 95% nga planifikimi, si dhe ka ruajtur stabilitetin e ndërmarrjes përkundër mos mbështetjes nga Qeveria.
Koalicioni qeveritar LV – LDK e kishte paralajmëruar qysh në fushatë se nëse arrijnë që të fitojnë në zgjedhje do të bëjnë shkarkime të bordeve të disa kompanive publike, që nuk kanë treguar performancë të mirë vitet e fundit.