Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka thënë se nuk ka pasur ndonjë informacion se Danilo Vuçiqit, të birit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është ndaluar hyrja në Mal të Zi.
Brnabiq ka thënë për televizionin “Pink”, se ajo mund të konfirmojë po ashtu se Aleksandar Vuçiq po ashtu nuk kishte pasur ndonjë informatë të tillë zyrtare.
“Asnjëherë nuk kam pasur ndonjë informacion zyrtar për gjëra të tilla dhe e di që presidentin Vuçiq nuk ka marrë kurrë një informacion të tillë, gjë që është vërtetë e pabesueshme”, tha Brnabiq.
Ajo ka thënë se në Serbi ka pasur “sulme të tmerrshme” ndaj Aleksandar Vuçiqit dhe Qeverisë së Serbisë.
“Ajo që po i bëhet presidentit Vuçiq duke sulmuar familjen e tij, nuk ka të bëjë me Danilon, ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj presidentit Vuçiq”, tha Brnabiq.
Edhe vet Aleksandar Vuçiq të dielën në konferencë për media ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se i është ndaluar hyrja në Mal të Zi të birit të tij.
“Nuk e dija që djalit tim Danilo i është ndaluar hyrja në Mal të Zi, por kjo më tregon më së shumti për ata në skenën politike të Serbisë dhe Malit të Zi dhe ndihmësve të tyre mediatikë”, tha Vuçiq.