Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka reaguar zyrtarisht pas deklaratave të një dite më parë të Kryeministrit Edi Rama, ku cilësoi si “çmenduri bullgare” veton ndaj Maqedonisë së Veriut, që si pasojë pengoi nisjen e negociatave për anëtarësim.
“Bullgaria gjithmonë ka qenë mes shteteve anëtare të BE-së që ka mbështetur integrimin e popullit shqiptar. Kemi mbrojtur perspektivën europiane të Shqipërisë dhe nisjen e bisedimeve, edhe kur ishte shumë më e vështirë se sa sot. Përgjatë viteve nuk ka pasur shumë zëra të tjerë krah nesh. Edhe sot, pavarësisht gjithçkaje, i qëndrojmë kësaj ideje, në emër të një të ardhmeje të përbashkët europiane”, thuhet në një reagim zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.
“Nuk është hera e parë që kemi dëgjuar ofendime të pamerituara nga kreu i një qeverie. Një gjuhë e tillë nuk mund të justifikohet. Presim që Kryeministri i Shqipërisë të moderojë gjuhën, duke e bërë të përshtatshme për politikanin e një vendi kandidat për në BE.
Në këtë pikë, këmbëngulim që të ruajmë një ton të mirë komunikimi. Ne kemi të ardhme të përbashkët me Shqipërinë. Politikanët shkojnë e vijnë, kombet mbeten. Popujt tanë kanë një interes të përbashkët, që nuk duhet të minohet nga gjykimet e gabuara. Është e papranueshme që marrëdhëniet mes dy shteteve të mbeten peng e sjelljes së Kryeministrit të Shqipërisë”.