Pas dy provokimeve ditën e djeshme, ku fillimisht një faqe nacinaliste greke “Himara.gr”, publikoi foton e një ushtari i cili mbante në uniformën e tij një flamur të aneksimit të jugut të Shqipërisë dhe njoftonte krijimin e një ushtrie që do të çlironte Vorio Epirin, dhe më pas një minoritar grek publikoi një video teksa digjte flamurin tonë kombëtar në mes të Sarandës, djemtë e qytetit jugor kanë bërë reagimin atyre, ashtu siç ata dinë të bëjnë më mirë.
Në një video të mbërritur në redaksinë e JOQ ALBANIA, ata kanë djegur flamurin e Greqisë duke shpërthyer edhe në të shara ndaj grekëve, më së shumti ndaj minoritarit. Ata shprehen se kanë dalë për ta gjetur minoritarin, por s’kanë mundur dot.
Djegia e flamurit shqiptar, shihet qartë se nuk është kapërdirë lehtë nga shqiptarët, gjë që u pa edhe në komentet e videos së postuar nga vetë Manolis Vitos.
Kujtojmë se lidhur me ngjarjen është paralajmëruar edhe një protestë. Ajo do të mbahet në Gjirokastër, para konsullatës në orën 11:00, ditën e nesërme.
Duhet theksuar se nacionalistët grekë vijojnë të besojnë se jugu i Shqipërisë i përket Greqisë, duke e quajtur “Vorio Epiri”, ose thënë shqip Epiri i Veriut, por shqiptarët i dinë mirë trojet e tyre.