Policia civile dhe forcat e sigurisë në Iran, shumë prej tyre të armatosura, kanë hyrë në universitetet e mbetura të hapura në vend, në përpjekje për të shtypur ditën e katërt të protestave studentore kundër udhëheqësit suprem, Ali Khamenei.
Sipas raportimeve dhe pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, në disa kampuse janë zhvilluar përplasje të drejtpërdrejta mes studentëve dhe milicisë Basij, e mbështetur nga shteti. Në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë në Tehran janë regjistruar përleshje fizike, ndërsa jashtë Universitetit të Teheranit janë parë automjete tip “pick-up” të pajisura me mitralozë. Protesta janë raportuar edhe në Mashhad.
Në disa universitete, studentëve që janë identifikuar si pjesëmarrës në protesta të mëparshme u është ndaluar hyrja në kampus. Administratorët kanë njoftuar pezullimin e mësimit me prani fizike.
Aktualisht, rreth 80% e universiteteve në Iran zhvillojnë mësimin online, një masë që sipas vëzhguesve synon të pengojë grumbullimet dhe organizimin e protestave kundër qeverisë dhe represionit të ashpër pas protestave të janarit.
Në video nga Universiteti i Arteve në Teheran dëgjohen thirrje si: “Luftojmë, vdesim, e rimarrim Iranin”, “Të lirohen të burgosurit politikë” dhe slogane kundër Khameneit.
Zhvillimet në terren vijnë në prag të raundit të tretë të bisedimeve për programin bërthamor të Iranit, që pritet të mbahet në Geneva mes ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, dhe të dërguarit special të SHBA-së, Steve Witkoff. Bisedimet ndërmjetësohen nga Oman.
Prokurori i Përgjithshëm i Iranit, Mohammad Mohebi Azad, ka kërkuar ndëshkim të shpejtë për protestuesit, duke deklaruar se autoritetet duhet të identifikojnë dhe të ndërmarrin veprime ligjore kundër “elementëve përkatës”. Ai ka sugjeruar se tensionet e brendshme po nxiten sa herë që vendi hyn në fazë negociatash.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nëse Irani nuk arrin një marrëveshje, do të jetë “një ditë shumë e keqe për atë vend dhe për popullin e tij”.
Sipas raportimeve, SHBA-të kanë shtuar praninë detare dhe ajrore në rajon. Trump ka hedhur poshtë pretendimet se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-së, Dan Caine, ka këshilluar kundër një sulmi për shkak të mungesës së mbështetjes rajonale dhe municioneve të mjaftueshme.
Organizata me bazë në Uashington, HRANA, ka publikuar një raport me titull “Red Winter”, ku renditen 7 mijë e 70 persona që pretendohet se janë vrarë gjatë protestave të janarit, me të dhëna të detajuara për identitetin dhe vendin e vrasjes.
Ndërkohë, zyra e presidentit iranian ka publikuar një listë me 2 mijë e 986 viktima dhe ka deklaruar se numri total i të vrarëve është 3 mijë e 117. Sipas autoriteteve, diferenca prej 131 rastesh lidhet me probleme identifikimi dhe mospërputhje në regjistrat civilë.
Situata në Iran mbetet e tensionuar, ndërsa zhvillimet e brendshme po ndërthuren me përpjekjet diplomatike dhe kërcënimet për përshkallëzim ushtarak në rajon.
Nuk ka pasur kuorum për raundin e parë të votimit të Presidentit. 66 deputetë ishin…
Nuk ka pasur kuorum për propozimet e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani…
Televizioni shtetëror iranian raportoi mbrëmjen e së enjtes se dronët e Gardës Revolucionare ushtria ideologjike…
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ftuar në seancën lidhur me amendamentet për zgjedhjen e…
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se dëshiron të përfshihet në zgjedhjen…
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese…