Arbër Rexhaj, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka dal hapur duke thënë se nëse Gjykata Kushtetuese vendos kundër tyre ai nuk do ta respektoj atë vendim.
“Kushtetuta e përcakton veprimin e krijimit të qeverisë. Kushtetuta e Kosovës tashmë ka dhënë një vendim. Nëse Gjykata Kushtetuese del me një vendim tjetër, atëherë bie ndesh me vendimin e mëparshëm. Atëbotë, ne e patëm pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese edhe pse nuk ka qenë në interesin tonë politik… Ndërsa tash nëse Gjykata Kushtetuese merr një vendim tjetër me të cilin nuk e respekton as vendimin e vet, normalisht që Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta respektojë”, ka thënë Rexhaj.
Gjykata Kushtetuese do të vendosë të mërkurën në kontestin e mandatarit.
Aktgjykimi për këtë rast do të publikohet pas dy ditësh, burime të sigurta i kanë treguar Insajderit të hënën.
Këto burime i kanë thënë gazetës se vendimi për rastin tashmë është marrë dhe se të mërkurën pritet të publikohet aktgjykimi për dekretin e Presidentit Hashim Thaçi.
“Të mërkurën pritet të shpallet aktgjykimi. Tashmë është marrë vendimi dhe vetëm do të publikohet”, kanë thënë burimet.