Tha se u ndoq me veturë nga zyrtari i tenderëve, pamjet demantojnë krejtësisht asamblistin e PDK-së

Ndonëse në një rrëfim për Insajderin të mërkurën, Getoar Besimi deklaronte se ai ishte viktimë e sulmit nga zyrtari i tenderëve, videoja e publikuar sot në media shfaq të kundërtën. Tregon se sulmi është kryer pikërisht nga asamblisti Besimi dhe se viktimë e tij ishte zyrtari i Komunës, Nezir Rexhepi.

https://www.youtube.com/watch?v=vsqyM51Tzb4

Pamjet e përleshjes mes zyrtarit të Prokurimit, Nezir Rexhepit dhe Getoar Besimit, asamblistit të PDK-së, e kanë demantuar plotësisht kuvendarin e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit.

Ndonëse në një rrëfim për Insajderin të mërkurën, Getoar Besimi deklaronte se ai ishte viktimë e sulmit nga zyrtari i tenderëve, videoja e publikuar sot në media shfaq të kundërtën. Tregon se sulmi është kryer pikërisht nga asamblisti Besimi dhe se viktimë e tij ishte zyrtari i Komunës, Nezir Rexhepi.

Besimi, në versionin e tij për ngjarjen që ndodhi mëngjesin e së mërkurës në Prizren, pretendonte se zyrtarin e tenderëve në Komunën e Prizrenit e ka takuar rastësisht në afërsi të Komunës, para se të ndodhte përplasja.

“Unë kam qenë duke e parkuar veturën time afër Komunës, teksa ai ka qenë në këmbë”, tha dje Besimi, në një bisedë telefonike për Insajderin.

Por, pamjet e përleshjes tregojnë të kundërtën. Para se të fillonte përleshja, sipas pamjeve, të dy personat e përfshirë në përleshje ecnin në drejtime të kundërta me njëra-tjetrën. Madje, Besimi, siç tregojnë pamjet, nuk shihet duke parkuar veturën e tij.

Në rrëfimin kundërthënës të tij, Besimi thoshte se ka qenë Rexhepi ai që e fyeu rëndë atë para se të niste përleshja.

“Kur unë kam dalë prej veturës për me shku drejt Komunës, më ka thënë: ‘çfarë ke?’. I kam thënë: ‘çfarë ka të re?’. Pastaj, ai më ka thënë mua se ‘kohët e fundit je duke lypë q* nane, ti u bëre me më paditë mua!’”, ka rrëfyer Besimi, në një deklarim për Gazetën Insajderi. “Në ato momente, më është vërsulur mua dhe më ka shqyer këmishen”.

Pjesa më imagjinare e rrëfimit të Getoar Besimit për përleshjen është pretendimi i tij se është kërcënuar me mjete të forta nga Rexhepi, që siç thoshte dje asamblisti i PDK-së, “ai i kishte nxjerrë nga bagazhi i veturës së tij”.

“Ai, me vrap ka shkuar dhe e ka hapur bagazhin e veturës së tij. Ka nxjerrë mjete të forta nga bagazhi për të më sulmuar. Unë, në atë moment kam shkuar tek vetura ime për t’u nisur drejt stacionit policor. Pastaj ai ka hyp në veturën e tij dhe më ka ndjekur nga mbrapa deri në stacion”, rrëfeu Besimi të mërkurën.

Në fakt, sipas pamjeve, Nezir Rexhepi ishte duke ecur në këmbë. Nuk kishte fare veturë.

Në një deklarim që zyrtari i Prokurimit në Komunën e Prizrenit i ka dhënë të mërkurën Insajderit, ai ka treguar se zakonisht shkon në vendin e tij të punës në këmbë pasi ka thënë se banon rreth 300 metra afër komunës.

Rexhepi u shpreh se kacafytjen mes tij dhe Getoar Besimit e inicioi ky i fundit, i cili sipas tij, e fyeu atë rëndë para se të dilte nga vetura për ta konfrontuar fizikisht.

“Në orën 9:10 minuta, afër 30 metra afër shtëpisë time ka ndodhur rasti teksa kam qenë duke shkuar në punë. Ai ka dalë nga vetura dhe më ka shiku, e pyeta: ‘Çfarë ke?’”, rrëfen Rexhepi. “Më shau, më tha: ‘T’i q**** robt e shpisë’.”

Siç tregon zyrtari i tenderëve në Prizren, kacafytjen mes tij dhe asamblistit të PDK-së në Kuvendin Komunal e ndaluan persona që ndodheshin në afërsi të ngjarjes.

“Pastaj ka dalë nga vetura dhe kështu jemi kacafytur, por për fat kanë qenë disa persona tek një autolarje aty që na kanë ndarë”, tha Rexhepi për Insajderin.

Ai tha se nuk është në dijeni për një kallëzim penal që Getoar Besimi thotë se ka ngritur ndaj tij “para disa ditësh”, por shprehet se me asamblistin e PDK-së dhe familjen e tij njihet prej shumë kohësh.