Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thirrur sot në takim liderët e partive parlamentare, për të gjetur rrugën drejt formimit të qeverisë së re të Kosovës.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se takimi ka për qëllim që presidenti të qartësohet nga liderët e partive se a janë të interesuar për zgjedhje të reja apo janë për formimin e qeverisë së re përmes këtij mandate të cilin e kanë.
Qëllimi kryesor i këtij takimi mbetet të vendoset se për cilin opsioni janë liderët partiak, në mënyrë që të vazhdohet tutje dhe të mos ketë ngecje në zhvillimet politike dhe udhëheqëse të vendit. Tashmë për t’u takuar me Thaçin, tek objekti i presidencës ka arritur lideri i LDK-së, Isa Mustafa.
Situata politike në vend ka ndryshuar që nga ngritja e mocionit të LDK-së për rrëzimin e Qeverisë Kurti, qeverisje kjo pjesë e së cilës ishin vetë ata.
Por LDK tashmë synon që qeverinë e re ta ketë bashkë me AAK dhe Nismën, gjë që mbetet të shihet se sa do të ketë realizim.
Ndryshe presidenti i vendit, Hashim Thaçi i ka dërguar sot letrën e pestë me radhë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti pasi që ky i fundit nuk i dërgoi emrin e mandatarit të ri të qeverisë.