Paneli i Gjykatës së Apelit në kuadër të Gjykatës Speciale ka hedhur poshtë kërkesën e parashtruar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kundër vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake për mbajtjen e tij në paraburgim.
“Prandaj, Kolegji i Apelit konstaton se Thaçi nuk arrin të dëshmojë se gjyqtari i procedurës paraprake ka bërë ndonjë gabim në vlerësimin e kushteve të lirimit dhe as se ka keqpërdorur diskrecionin e tij. Për sa u tha më lart, Kolegji i Gjykatës së Apelit i hedh poshtë argumentet e Thaçit në bazë të ankesës 6 dhe 7”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Më 26 tetor, në një njoftim për media të Dhomave të Specializuara thuhet se trupi gjykues II urdhëroi Policinë e Kosovës që deri më 26 nëntor 2021 të ofrojë informacion lidhur me autorizimet dhe kapacitetet e saja lidhur me lirimin e mundshëm të përkohshëm të ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
“Të ofroj informacion, ndër të tjera, lidhur me autorizimet dhe kapacitetet e saja lidhur me lirimin e mundshëm të përkohshëm të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt”, thuhej në njoftimin e publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
Por, të gjithë nga të akuzuarit i kanë mohuar kategorikisht akuzat që rëndojnë mbi ta.
Ata janë deklaruar të pafajshëm në fjalimet e tyre të para në gjykatë.