Shqipëria, Kosova dhe Kroacia kanë themeluar nismën tre palëshe mes shteteve, ky synohet mbajtja e mbledhjeve të rregullta në nivel të ministrave të jashtëm.
Kjo për të bërë krijimin e platformave të përbashkëta politike dhe për të zhvilluar projekte konkrete sipas interesave të përbashkëta, raporton Gazeta Express.
Kështu ka bërë të ditur Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Gent Cakaj, përmes një publikimi të bërë në rrjetin social Facebook.
“Pas bisedave me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, së bashku me Ministrin e Jashtëm të Kroacisë, z. Goran Grlić-Radman, kemi vendosur përfundimisht themelimin e nismës trepalëshe mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Cakaj ka bërë të ditur se takimi i parë do të mbahet në Shqipëri brenda këtij viti dhe pastaj takimet e tjera do të mbahen çdo vit nëpër qytete të ndryshme të vendeve tona.
“Kjo nismë do t’i shërbejë thellimit të marrëdhënieve mes vendeve tona, por edhe zbatimit të objektivave të përbashkëta strategjike veçanërisht në fushën e politikës së jashtme”, ka shtuar ai.