Deputeti i partisë simotër të PD-së në Gjermani, Gunther Krichbaum në një intervistë për Deutsche Welle ka shprehur keqardhjen për zhvillimet në Partinë Demokratike, teksa ka theksuar se mbështetja për PD-në do të vijojë vetëm nëse jepet një sinjal largpamës në përzgjedhjen e kryetarit, duke lënë të nënkuptojë se nuk është dakord me rikthimin e Sali Berishës në krye të demokratëve.
“Nëse nuk do të jetë kështu, por do të ketë kthim në të djeshmen, në mos të pardjeshmen, atëherë kjo nuk mund të gjejë mbështetjen time personale. Në një rast të tillë, unë do të angazhohesha që të pezulloheshin procedurat për anëtarësim në nivel të Partisë Popullore Evropiane”, është shprehur ndër të tjera Krichbaum.
Një mesazh të fundit e kishte edhe për anëtarët e Partisë Demokratike. “Unë mendoj se amerikanët kanë gjetur fjalë të qarta dhe mendoj se partia bën mirë që fjalë të tilla të mos i lërë pa i dëgjuar”, ishte thirrja që deputeti i CDU/CSU kishte për Partinë Demokratike në Tiranë.