Thirrja e rabinit hebre në Amerikë: Ndihmojini shqiptarët pas tërmetit. Na shpëtuan nga nazistët

Një rabin hebre në qytetin Hamden të shtetit Connecticut në ShBA, e ka përdorur kolonën e tij javore në gazetën e New Haven Register për t’iu drejtuar bashkëkombasve një thirrje që të ndihmojnë popullin shqiptar të prekur nga tërmeti. Rabini Herbert Brockman u ka bërë thirrje hebrenjve, një komunitet i madh dhe i fuqishem në Amerikë, që të gjenden pranë shqiptarëve të cilët i ndihmuan gjatë Luftës së Dytë Botërore duke i shpëtuar nga nazistët.

Më poshtë shkrimi i plotë:

Besimi ka rëndësi dhe veprimet po ashtu. Në traditën time ekziston një shprehje, “Lutuni sikur gjithçka varet nga Zoti; veproni sikur gjithçka varet nga ju! ”Ky është një artikull për të dyja këto. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nazistët po mësynin nëpër Europë duke vrarë, mes të pafajshmëve të tjerë, 6 milion hebrenj, kishte pak vende për t’u fshehur dhe për të gjetur strehë. Një komb u dallua në atë kohë- Shqipëria. Megjithëse e pushtuar, së pari nga fashistët italianë dhe më pas nga nazistët, Shqipëria ishte vendi i vetëm i okupuar ku kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa më parë – 11 herë më shumë! Megjithë varfërinë e tyre dhe kërcënimin e vazhdueshëm të hakmarrjes, komuniteti, kryesisht musliman shqiptar, i mirëpriti dhe mbrojti hebrenjtë që ikinin kryesisht nga Gjermania dhe Austria dhe që kishin dëgjuar për përpjekjet heroike të shqiptarëve. Si nderim,

Muzeu i Holokaustit në Jeruzalem (Yad Vashem) zyrtarisht nderon një numër të madh shqiptarësh si “të drejtët mes kombeve”. Kohët e fundit, ndërsa isha ulur rreth tryezës së Falënderimeve**, sapo kisha lexuar për tërmetin tragjik në Shqipëri, mendja më kthehej te lidhja historike midis Shqipërisë dhe popullit hebre. Deri më tani, rezultatet janë dhjetra të vdekur, dhe qindra janë të plagosur ose të zhvendosur. Shqipëria është një vend i varfër dhe me sa dëshmon historia e saj, ajo është e pasur me besim dhe guxim.

Për mua, dhënia e falenderimeve këtë vit ishte i pamjaftueshëm. U luta për njerëzit e Shqipërisë, por duhet të bëj më shumë. Rabinët e lashtë na mësonin, “Lëreni dorën ta mësojë zemrën”. E kundërta është gjithashtu e vërtetë, lere të zemra ta mësojë dorën.

Megjithëse shqiptarët mund të kenë më pak burime për tu rikuperuar nga tragjedia e fundit, atyre nuk u mungon asgjë në shpirt. Tani, ata kanë nevojë për ndihmën tonë. Dhe kështu, këtë javë, unë do t’u kërkoja lexuesve të kësaj kolone, nëse zemrat tuaja janë të tronditura, të ndihmojnë në rindërtimin e Shqipërisë dhe popullit të saj. Ju mund ta bëni këtë përmes organizatave të mëposhtme: UNICEF USA për Shqipërinë; Kryqi i Kuq ose Gjysmëhëna e Kuqe: Shqipëri; dhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (MCA), Waterbury.

*Herbert Brockman është Rabin Emeritus, i kongregacionit Mishkan Israel në qytetin Hamden të shtetit Connecticut në Amerikë.

**Falenderimet-Thanksgiving janë një një ndër festat tradicionale më popullore në Amerikë.