Janë momente të vështira për çdokënd, qoftë në Tiranë, Romë apo Nju Jork. Por edhe në Magangue, në veriun e Kolumbisë. Qytetarët janë të kyçur në karantinën që qeveria ka vendosur kundër koronavirusit, dhe persona me “gjakun” latin si kolumbianët mezi pajtohen me këto urdhra.
Çdo gjë është pretekst për të dalë, sadopak. Blerja e bukës, hedhja e plehrave, një shkëmbim recetash te farmacisti.
Imagjinoni atëherë çfarë ka ndodhur kur të dielën e kaluar një kalimtar i rastit në një shesh të vogël të qytetit, duke ngritur padashur sytë pikasi, në mes të gjetheve të një peme, figurën hyjnore të Jezu Krishtit.
Aq deshi Magangue. Për pak minuta lajmi u përhap kudo në shtëpitë të mbushura si asnjëherë, që u zbrazën si pa të keq për të parë mrekullinë.
Banorët harruan distancat sociale, harruan më së shumti maskat, dhe filluan t’ i luteshin trungut që, për hir të së vërtetës dhe me ndihmën e besimit, kishte marrë formën e një personi të kryqëzuar, kryesisht falë lojës së dritëhijes.
Lutjet u ndërprenë nga forcat e policisë që mbërritën të shumta duke kërcënuar për gjoba dhe burg ithtarët. Të nesërmen, trungu nuk paraqiste më asgjë hyjnore, por të paktën banorët e Magangues morën për pak minuta ajër të freskët dhe një sinjal që edhe në qytetin e tyre, gjithçka do të shkoj mirë.