Raportet mes Aleksandër Vuçiç-it dhe Milorad Dodikut nuk janë ato që kanë qenë më herët.
Këtë “sekret” e ka zbuluar kryeredaktori i mediumit boshnjak “Buka”, Aleksandër Trifunoviç, i cili ka deklaruar se raportet e tyre janë ftohur prej kohësh sidomos pas zgjedhjeve të përgjithshme në Bosnje dhe Hercegovinë, të dielën e 2 tetorit.
“Milorad Dodik dhe Aleksandër Vuçiç nuk kanë qenë kurrë në marrëdhënie të mira dhe ky është sekreti i tyre i mbajtur më së miri”.
Ndryshe prej herëve të tjera, presidenti i Serbisë nuk e ka përkrahur Dodikun për kreun e “Republikës Serbe (RS)” në BeH, madje siç thotë Trifunoviç, ai ka qenë “i padukshëm” në zgjedhje.
“Deri më tani Vuçiç, ka qenë shumë i përfshirë në zgjedhje, ka përkrahur Dodikun, por këtë herë ka qenë krejtësisht i padukshëm, nuk ka përkrahur hapur as pozitën dhe as opozitën”, ka theksusuar ai, transmeton mediumi serb “Danas”.
Për ndikimin që ka pasur presidenti serb në zgjedhjet paraprake të BeH-së, ka folur edhe gazetarja Tanja Topiç, e cila nënvizoi faktin se pa bekimin e Vuçiç-it, zor të fitoj zgjedhjet dikush në “RS”.
“Të gjithë aktorët politikë nga ‘Republikën Serbe’ përpiqen të marrin mbështetjen e Aleksandër Vuçiç-it dhe është bërë një rregull i pashkruar që kush nuk e ka atë, nuk ka absolutisht asnjë shans për të fituar zgjedhjet. Për shumë vite, Milorad Dodik kishte të drejtën ekskluzive për të nxitur ‘lidhje vëllazërore’”.
Kurse gazetarja Gordana Katana ka nënvizuar se veprimet e fundit të Dodikut nuk i kanë pëlqyer shefit të shtetit serb, sidomos pas referendumeve ilegale në rajonet ukrainase kur Dodik përshëndeti ato.
“Vuçiç-it fjalë për fjalë ia vrau syrin jo me gisht, por me grusht, në momentin kur ai po lufton për Kosovën dhe kur ai vetë tha se nuk do t’i njohë kurrë ato zona që i janë bashkuar Rusisë”, shtoi ajo.
Ndryshe, partitë opozitare në RS kanë paralajmëruar protestë, duke thënë se në zgjedhjet e 2 tetorit ka ndodhur një vjedhje e madhe elektorale dhe se në zgjedhjet për president të RS-së janë “vjedhur” deri në 100 mijë vota.