Sinjali ka siguruar videon ekskluzive të torturës së ushtruar nga komandanti dhe pesë zyrtarët e Stacionit të Policisë në Gjakovë, ndaj një qytetari me duar të lidhura.
Në materialin e siguruar nga Policia e Kosovës, shihet dhuna e shfrenuar brenda stacionit policor të Gjakovës nga komandanti, Kristë Gjokaj dhe pesë vartësit e dyshuar për përfshirje në këtë rast, kapiteni Bekim Preniqi dhe rreshterët Gëzim Bilekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj dhe Shaban Limanaj.
Uniformat e Policisë së shtetit, siç shihen në video, ushtrojnë në vazhdimësi brutalitet të pashembullt grupor ndaj të prangosurit, me grushte e shkelma, duke e sjellë atë deri në prag të agonisë, përmes përdorimit të dhunës në shkallën e torturës çnjerëzore.
E tërë kjo harbutëri e policisë ndodhi gjatë detyrës zyrtare brenda Stacionit Policor, ndaj një qytetari me duar të lidhura i cili ishte vënë në kontroll të plotë të tyre dhe nuk paraqiste asnjë lloj rreziku për ushtruesit e dhunës.
Përkundër gjithë kësaj dhune, komandanti dhe pesë policët vazhdojnë t`i ushtrojnë funksionet e tyre zyrtare në vendin dhe pozitën e njëjtë sikur të mos kishte Prokurori fare.
Si dhe kur ndodhi ngjarja?
E tërë ngjarja kishte ndodhur në orët e para të mëngjesit të 14 nëntorit të vitit 2018, kur qytetari Muhamer Raifi nga Prishtina, sipas pohimeve të tij, teksa po priste një shoqe në parkun e qytetit të Gjakovës, ishte arrestuar dhe prangosur nga katër policë të cilët, siç theksonte ai, kishin filluar ta godisnin në të gjitha pjesët e trupit pa ndonjë shkas.
Sipas ankuesit, policët e kishin tërhequr zvarrë përgjatë parkut dhe duke e rrahur e kishin dërguar në stacionin policor në Gjakovë.