Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njoftoi dje hapjen e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë ditën e enjte.
Përmes një postimi në rrjetet sociale KMSH njofton se me vizitën e Presidentit të Turqisë në Shqipëri, Rexhep Taip Erdogan, do të inaugurohet edhe hapja e xhamisë së Namazgjasë. Në reagimin e KMSH shprehen falënderimet për kontributin e madh të popullit dhe qeverisë turke si dhe për mbështetjen e pakushtëzuar të qeverisë shqiptare. Në këtë mënyrë merr fund përplasja trevjeçare që la xhaminë e Namazagjasë pa një drejtues dhe që nuk priste asnjë besimtar mysliman.
Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan do të inaugurojë këtë xhami që i ka kushtuar qeverisë turke 30 mln euro, duke i besuar drejtimin e saj, jo Komunitetit Mysliman Shqiptar, drejtuesin e të cilit e quan gylenist, por një imami turk. Për vizitën zyrtare që presidenti turk, Erdogan do të zhvillojë të enjten, çdo gjë është bërë gati. Xhamia në qendër të kryeqytetit, e konsideruar si më e madhja në Ballkan, është veshur me flamujt e Turqisë dhe Shqipërisë, e pas inaugurimit do të jetë e hapur për të gjithë besimtarët myslimanë.
Drejtimin e xhamisë, në të cilën 10.000 besimtarë do të mund të falin namazin në të njëjtën kohë, e që puna nisi që në vitin 2015-të, do ta marrë imami turk. Enes Bastur, i cili vetë njoftoi lajmim përmes një postimi në rrjetet sociale.
“”Të dashur miq me udhëzimet e Drejtorisë tonë të çështjeve Fetare më caktuan te faltorja e madhe e Xhamisë qendrore Namazgja në Tiranë”, shkruan ai.
Gjatë vizitës së tij zyrtare, presidenti i Turqisë do të qëndrojë vetëm disa orë në Tiranë ku veç inaugurimit të xhamisë do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kryeministrin Rama, e më pas një konferencë për mediat.
“Kjo xhami është një ëndërr e kahershme e popullit shqiptar, e cila u bë e mundur falë bujarisë së popullit vëlla turk dhe insistimit të Presidentit të Republikës së Turqisë, SH.T.Z, Recep Tayyip Erdoðan. Po ashtu Xhamia e madhe e Namazgjasë nuk do ishte bërë sot realitet pa mbështetjen e madhe administrative po edhe financiare të qeverisë shqiptare, që falë vullnetit të kryeministrit Edi Rama i hapi rrugë konsolidimit të pronësisë sonë mbi truallin e Namazgjasë.
Sipas tyre Xhamia nuk do të jetë thjeshtë një vendfalje, por një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve.