Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka thënë se videoja e publikuar së fundmi nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, nga veriu i Kosovës është mesazh për amerikanët – se po i injoron akuzat dhe sanksionet e tyre.
Ish deputetja e Kuvendit të Kosovës, politikania serbe Rada Trajkoviq, duke folur për nënkryetarin e Listës Serbë, i cili është i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe i cili ende kërkohet nga autoritetet e Kosovës, por edhe në listën e zezë amerikane, citoi video mesazhin e Radoiçiqit, i cili tha: “Unë jam këtu dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo”!
Trajkoviq është përgjigjur në pyetjen e gazetës “Nova” se çfarë do të thotë kur Milan Radoiçiq thotë “po kthehem në Kosovë”.
“Para së gjithash do të thosha se ky është një mesazh për administratën amerikane nga Milan Radoiçiq, njëkohësisht edhe nga shteti serb. Thjesht për atë se deklaratën e ka bërë Radoiçiq, dhe e shohim vazhdimisht se përfaqësuesit e qeverisë të Serbisë, por edhe Aleksandar Vuçiqi si president, në kontekstin më pozitiv, flasin për njeriun që u fut në listën amerikane të personave që akuzohen për krim, korrupsion, trafik droge dhe armësh. Pra, Vuçiq, Lista Serbe dhe Radoiçiq e injorojnë këtë vendim dhe kundërshtojnë vendosjen e Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit në atë listë si krimi më i rrezikshëm në rajon”, tha Trajkoviq.
Ndryshe, më 5 korrik të këtij viti, kreu i grupit kriminal serb, njëherësh nënkryetar i Listës Serbe, Milan Radoiçiq përmes një video mesazhi është paraqitur me tone kërcënuese ndaj serbëve të Kosovës.
Radoiçiq që është i sanksionuar nga Thesari amerikan (OFAC), pretendon se këtë video e ka incizuar në Kosovë shihet duke kërcënuar qytetarët për t’iu bindur grupeve kriminale.
I kërkuari nga autoritetet e sigurisë së Kosovës, duke parë se ka humbur mbështetjen nga serbët, është munduar që t’i shantazhojë ata, të cilët tashmë e kanë kuptuar se janë shfrytëzuar si instrument politik nga Beogradi.
Kujtojmë se Radoiçiq, përveç që është në kërkim nga Policia e Kosovës, së bashku me Zvonko Veselinoviqin, janë në listën e zezë të SHBA-së si grup i organizuar në veri të vendit.
Sipas Zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja të Departamentit të Thesarit (OFAC), përveç Veselinoviqit në grupin e krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovë sa janë edhe i vëllai Zvonkos, Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radoiçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq, Milivoje Vuloviq.