Në Bruksel, NATO ka diskutuar së fundmi, mbi çështjen e sigurimit të pajisjeve ushtarake për Ukrainën. Sfida për NATO-n, gjatë gjithë kësaj lufte, ka qenë se si t’i jepte Ukrainës mbështetje të mjaftueshme ushtarake, por pa u përfshirë vetë në konflikt me Rusinë.
Qeveria ukrainase ka qenë e qartë me kërkesat për ndihmë. Sipas saj, nëse do të ketë ndonjë shans për të shmangur sulmin e ardhshëm rus në rajonin e Donbasit në lindje të vendit, atëherë ka nevojë urgjente për një furnizim me raketa antitanke dhe antiajrore. Ndër të tjera, Ukraina kërkon tanke, avionë luftarakë, dronë dhe sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore raketore.
Por, çfarë po e pengon NATO-n të përmbushë këto kërkesa? Përgjigjja është përshkallëzimi…. Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore taktike nga Rusia ose i përhapjes së konfliktit përtej kufijve të Ukrainës në një luftë më të gjerë europiane, është vazhdimisht në mendjet e liderëve perëndimorë.
Çfarë ka dhënë Perëndimi për Ukrainën deri më tani?
– Mbi 30 vende kanë ofruar ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, duke përfshirë 1 miliard euro nga BE-ja dhe 1.7 miliardë dollarë nga SHBA-ja;
– Furnizimet me armë, municione dhe pajisje mbrojtëse, si sistemet raketore antitanke dhe kundërajrore, duke përfshirë Javelins dhe Stingers, të cilat janë armë kundërajrore, të përdorura më së shumti në Afganistan kundër avionëve sovjetikë;
– Furnizimi me Starstreak – një sistem i mbrojtjes ajrore i prodhuar në Mbretërinë e Bashkuar;
– Anëtarët e NATO-s kanë frikë se furnizimi me pajisje më të rënda sulmuese, si tanke dhe avionë luftarakë mund të çojë në konflikt të hapur të drejtpërdrejtë me Rusinë. Por kjo nuk i ka penguar çekët të japin tanke T72.
Presidenti Putin gjatë kësaj periudhe i ka kujtuar shpeshherë botës se Rusia është një fuqi e armëve bërthamore. Planifikuesit strategjikë të NATO-s shqetësohen se sapo të thyhet “tabuja” bërthamore, atëherë rreziku i përshkallëzimit të një shkëmbimi bërthamor katastrofik midis Rusisë dhe Perëndimit rritet në mënyrë të pashmangshme. Por veç përdorimit të armëve bërthamore, edhe veprimet e NATO-s në Ukrainë, si furnizimet e mëtejshme me armë mund të nxisin një luftë mes tyre dhe Rusisë.
Si mund të përshkallëzohet lufta Rusi-Ukrainë në një konflikt më të gjerë europian?
Ka një sërë skenarësh të mundshëm, BBC rendit tre të tillë:
1. Një raketë antianije e sjellë nga NATO dhe e lëshuar nga forcat ukrainase në Odessa, godet dhe fundos një anije luftarake ruse në Detin e Zi. Kjo do të shkaktonte humbjen e afro 100 ose më shumë marinarëve. Një numër i tillë vdekjesh në një goditje të vetme, do të ishte i paprecedentë dhe Putini do të përgjigjej në një formë.
2. Një sulm raketor strategjik rus synon një kolonë furnizimi me pajisje ushtarake që kalon nga një vend i NATO-s, si Polonia ose Sllovakia, në Ukrainë. Nëse do të kishte viktima në anën e kufirit të NATO-s, kjo potencialisht mund të aktivizonte nenin 5 të kushtetutës së NATO-s, duke e nxjerrë të gjithë aleancën në mbrojtjen e vendit të sulmuar.
3. Mes luftimeve të ashpra në Donbas ndodh një shpërthim në një objekt industrial që shkakton çlirimin e gazeve kimike toksike. Ndërsa kjo tashmë ka ndodhur, nuk ka pasur asnjë vdekje të raportuar. Por nëse do të shkaktonte viktima dhe nëse zbulohej se ishte shkaktuar qëllimisht nga forcat ruse, atëherë NATO-ja do të ishte e detyruar të përgjigjej.
Është krejtësisht e mundur që asnjë nga këta skenarë të mos realizohet. “Ajo që ne po përpiqemi të arrijmë është t’i japim Ukrainës çdo ndihmë që mundemi, përveç Luftës së Tretë Botërore. Problemi është se Putini është një lojtar pokeri më i mirë se ne”, thotë një nga oficerët ushtarakë më me përvojë të Britanisë, i cili kërkon të mos i përmendet emri. Deputeti britanik, Tobias Ellwood, është dakord me këtë ide. “Rusia e bën kërcënimin e përshkallëzimit në mënyrë shumë efektive. Edhe ne jemi të trembur. Kemi humbur aftësinë për të kontrolluar përshkallëzimin.”