Kosova e Serbia do të ballafaqohen me një diskutim përballë njëra-tjetrës më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë në Washington.
Atje pritet që ky takim të prodhojë rezultat për një marrëveshje të përbashkët mes të të dyja palëve.
Klan Kosova mëson ekskluzivisht që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump mund të jetë garantues i kësaj marrëveshjeje e cila potencialisht mund të arrihet mes Kosovës e Serbisë.
Kjo do të thotë se ai mund të jetë prezent në celebrimin e mundshëm të një marrëveshjeje historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Karakteri i marrëveshjes pritet të jetë me tipare ekonomike me benefit të palës nga Kosova dhe asaj të Serbisë.
Kjo ujdi siç merr vesh ekskluzivisht Klan Kosova, nënkupton një investim multimiliardësh në Kosovë dhe Serbi.
Në këtë rrugëtim opsioni amerikan është gjithëpërfshirës dhe nuk është kundër Bashkimit Europian.
Për këtë arsye ka gjasë në takimin e 27 qershorit do të ketë edhe një përfaqësues evropian, ku mësohet se emri i tij potencial është Kryediplomati evropian Josep Borrell apo sllovaku Mirosllav Lajçak.
Emisari Special Richard Grenell ditë më parë iu bëri ftesë palës kosovare dhe asaj serbe për një takim diskutimi rreth dialogut në Shtëpinë e Bardhë.
Në takimin në Shtëpinë e Bardhë, Kosovën do ta përfaqësojë Presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe Kryeministri Avdullah Hoti.
Ndërsa nga pala tjetër, përfaqësues të Serbisë do jenë Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrja Ana Bërnabiq.
Kryeministri Avdullah Hoti foli sot lidhur me takimin që pritet të mbahet më 27 qershor në Washington ku u shpreh se atje marrin pjesë për njohje reciproke, dhe se Amerika do t’i japë dritën e kuqe Serbisë lidhur me kërkesat e saj të papranueshme për palën kosovare.
Ndryshe Presidenti serb Aleksandar Vuçiq insiston se nuk do t’i pranojnë kushtet e parashtruara nga pala kosovare.
Se SHBA, mezi e presin këtë takim mes Kosovës e Serbisë, e tha mbrëmë në një reagim të tij edhe Këshilltari Kombëtar i Sigurisë në SHBA, Robert O’Brien,
Ai shtoi se bashkë me Richard Grenell do t’i presin delegacionet e Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.
Rreth asaj nëse palët ndahen të pakënaqura nga takimi në Washington, Emisari Special Richard Grenell u shpreh se gjithçka do të kthehet në ‘status quo’’.