Tubimi i Trumpit më i dobët se që pritej

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbajtur tubimin e parë të fushatës së tij që nga fillimi i kufizimeve për shkak të koronavirusit, para një turme e cila ishte më e vogël se sa që u prit, ka shkruar BBC.

Trump kishte thënë në fillim të javës se pothuajse një milion njerëz kishin kërkuar bileta për këtë ngjarje në qytetin Tulsa të Oklahomas.

Por arena me 19,000 ulëse nuk u mbush, dhe planet e tij që t’i drejtohet edhe turmave “jashtë arenës” nuk u realizuan, transmeton KOHA.

Ata që morën pjesë në tubim nënshkruan një dokument i cili mbron fushatën e Trumpit nga përgjegjësia nëse dikush sëmuret. Disa orë para së të fillonte ngjarja, zyrtarët thanë se gjashtë anëtarë të stafit kishin testuar pozitiv me koronavirus.

Sidoqoftë nuk është e qartë pse pjesëmarrja ishte më ulët s sa që pritej. Trump i cili foli pothuajse dy orë për tema të ndryshme, i quajti të pranishmit “luftëtarë”, dhe i fajësoi mediat dhe protestuesit për mos ardhjen e më shumë njerëzve.

Sa i përket koronavirusit, Trump tha se kishte inkurajuar zyrtarët që të ngadalësonin testimin sepse kjo bënte që më shumë raste të zbuloheshim.

“Ja ku është gjëja e keqe: kur bën testim të madh, do të gjen më shumë raste” i tha ai turmës brohoritëse. “Andaj ju thash, ngadalësoni testimet. Por ata testojnë dhe vazhdojnë të testojnë”.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë më vonë tha se është e qartë që presidenti po “tallej”

Presidenti gjithashtu foli për protestat kundër racizmit, dhe rrënimin e statujave, duke thënë: ”Bandat majtiste po përpiqen të vandalizojnë historinë tonë, të përdhosin monumentet tona të bukura, të rrëzojnë statujat, dhe të dënojnë dhe persekutojnë këdo që nuk i përkulet kërkesës së tyre për kontroll total. Nuk e lejojmë këtë” i tha ai turmës.