Pronarit të një restoranti në Turqi iu morën mendtë kur pa se fatura e energjisë elektrike ishte më e shtrenjtë, sesa qiraja e restorantit dhe gati dyfish më shumë sesa borxhi që pagoi për muajin dhjetor.
Në situatë të ngjashme ishte edhe Cengiz Sur, pronari i një kafeneje në Stamboll. Thotë se ka hequr nga priza frigoriferët dhe ngrohëset, ndërkaq dritat i ka fikur pasi fatura e energjisë e muajit janar tejkaloi qiranë e lokalit.
Nga Polonia deri në Britani të Madhe, çmimi i energjisë elektrike ka ngritur edhe shifrat në fatura, duke vënë në vështirësi qytetarët dhe bizneset e vogla që janë të pasigurta se sa gjatë mund të punojnë me humbje.
Ngritja e çmimit të energjisë nuk është ndier askund më shumë sesa në Turqi, në të cilën inflacioni ka arritur në 50 për qind dhe faturat e larta kanë nxitur valën e protestave.
Rrjetet sociale vlojnë me fotografi të faturave, madje edhe nga të famshmit. Partia kryesore në opozitën turke, u është bashkuar thirrjeve për tërheqje të planit për ngritjen e madhe të çmimit të energjisë, duke thënë se anëtarët e saj nuk do të paguajnë asnjë cent deri në uljen e çmimit.
Për amvisëritë, çmimi është ngritur në 50 për qind, ndërkaq për bizneset deri në 127 për qind.
Inflacioni i kombinuar me ngritjen e çmimit të energjisë kanë kërcënuar planin e presidentit Receep Tayyip Erdogan për vazhdimin e pushtetit para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.