Tush Frroku ende në arrati i dyshuar për vrasjen e dhëndrit, por cila është historia e tij – i kërkuar edhe nga Interpoli

Anton Prela dyshohet se u privua nga jeta nga dhëndri i tij Tush Frroku pasditën e së hënës në një lokal në Klinë. Frroku ndodhet ende në arrati dhe për arrestimin e tij policia po kërkon edhe ndihmën e qytetarëve. Por e kaluara e Frrokut ndërlidhet edhe me vepra të tjera penale. Cila është historia e tij?

Burri që dyshohet se ekzekutoi dhëndrin e tij u pa nëpër qytet teksa po ikte me armë në dorë. Nën kërcënimin e armës një personit ia grabiti veturën për t’u arratisur. E cila më pas u gjet e braktisur në fshatin Kosh të Istogut.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Prokuroria Themelore e Pejës, konfirmon se ndaj Frrokut ishin ngritur dy aktakuza.

Në vitin 2012, kundër tij ishte ngritur aktakuzë për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”. I njëjti kishte aktakuzë për veprën penale “Vjedhje e shërbimeve”.

Ndaj tij kishte procedurë edhe për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Kurse, në vitin 2016, sipas Prokurorisë ndaj të dyshuarit Frroku, ka pasur procedurë të zhvilluar për veprën penale “Përdorimi armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Gjykata Themelore e Pejës, deri në publikimin e këtij teksti nuk ka kthyer përgjigje për këto raste.

Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar se Tush Frroku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në Interpol nga Gjykata Themelore në Pejë për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës konfirmon se personi në fjalë ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në Interpol nga Gjykata Themelore në Pejë-dega në Klinë për veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Sipas MD-së, Frroku ishte arrestuar në Itali.

“I njëjti mbi bazën e urdhër kërkimit ndërkombëtar ishte arrestuar në Itali, pastaj Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës përkitazi me nenin 40, të Ligjit 04/L-213 për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale, e kishte dorëzuar kërkesën për ekstradim”, konfirmon MD.

Ekstradimi i tij ishtë bërë në muajin shkurt 2023.

“Gjykata kompetente italiane kishte konstatuar se kërkesa për ekstradim e Republikës së Kosovës i plotëson kushtet ligjore dhe Ministria e Drejtësisë e Republikës së Italisë e kishte miratuar ekstradimin e personit. Po ashtu, pas plotfuqishmërisë së vendimeve ishte realizuar ekstradimi i tij nga Policia e Kosovës në muajin shkurt 2023”, tha MD.

Policia e Kosovës informoi se të hënën rreth orës 16:50 pati të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën “Leonard Palucaj” në Klinë.

Më pas u njoftua edhe për vdekjen e Anton Prelës, si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Vdekja e tij u konfirmua nga mjeku kujdestar në Spitalin Rajonal të Pejës.

Viktima ishte pronar garazhi nga kantoni i Lucernit.

U raportua se i dyshuari qëlloi shtatë herë në drejtim të viktimës.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, ka publikuarfoton dhe të dhënat e të dyshuarit me qëllim arrestimin e tij duke lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarët: