Hyrja e tunelit të rrugës Kardhiq – Delvinë është shembur. Ka qenë kryetari i PD Delvinë Hari Imeri, i cili ka publikuar një foto, ku duket se hyrja e tunelit të rrugës Kardhiq – Delvinë është shembur. Ende nuk dihet sa mund të jetë dëmi i shkaktuar dhe nëse shembja është vetëm në hyrje apo ka vazhduar edhe brenda tunelit.
Tuneli i shembur
Tuneli i Skërficës, pjesë e aksit të ri rrugor Kardhiq-Delvinë, u tha se u hap plotësisht më 23 gusht 2021 pas përfundimit të gërmimeve në të gjithë gjatësinë e tij dhe tashmë po punohet për plotësimin e të gjithë elementëve të tjerë të nevojshëm të kësaj vepre.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi ecurinë e punimeve në këtë tunel, duke përshkuar me automjet gjithë gjatësinë prej 1316 metrash të tunelit të Skërficës, ku tashmë do të punohet për betonimin, hidroizolimin, ajrimin, asfaltimin dhe gjithë komponentët e tjerë që do ta bëjnë këtë tunel të përfunduar. “Puna ka arritur deri në 65% të volumeve dhe ne sot bëjmë kalimin për herë të parë me automjet të tunelit të Skërficës”, tha Balluku. Po ashtu, Balluku theksoi se kanë përfunduar edhe punimet që bëjnë lidhjen e tunelit kryesor me tunelin e emergjencës, i cili ka një gjatësi prej 670 metrash.
Ministrja Balluku te tuneli i mbaruar në gusht 2021
Tuneli i Skarficës është 1346 metra i gjatë. Rruga Kardhiq-Delvinë u planifikua për t’u ndërtuar që në vitin 2007. E gjithë rruga është e gjatë 36.5 km dhe punimet janë ndarë në 8 segmente me 8 tendera të ndryshëm. Më 25 prill 2019, Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi tenderin 19 milionë euro (2,3 miliardë lekë) për ndërtimin e tunelit të Skarficës është segmenti i 7-të i rrugës Kardhiq Delvinë. Në garë u paraqitën 6 oferta. Më 17 qershor 2019, ARRSH skualifikoi 5 ofertat më të ulëta dhe shpalli fitues një bashkim kompanishë që kishte dhënë ofertën më të lartë – 18.9 milionë euro rreth 98.5 për qind të fondit të vënë në dispozicion nga qeveria. Kompania me ofertën më të ulët, Gjoka Konstruksion, u ankua në Komisionin e Prokurimeve Publike (KPP) duke pretenduar se ishte skualifikuar pa të drejtë dhe se tenderi i takonte asaj. Më 9 korrik 2019, KPP vendosi në favor të saj, anuloi vendimin e ARRSH dhe i kërkoi që brenda 10 ditëve fituesi i tenderit të shpallej Gjoka Konstruksion. ARRSH nuk e zbatoi vendimin e saj por nisi një inspektim ndaj kompanisë Gjoka Konstruksion dhe arriti në përfundimin se ajo nuk kishte kryer disa punime të cilat kishte deklaruar se i kishte kryer kur kishte aplikuar për tenderin. Më 12 shtator ARRSH i kërkoi Agjencisë së Prokurimit Publik hetim administrativ ndaj Gjoka Konstruksion dhe përjashtimin nga tenderët publikë. Po në këtë ditë, në mënyrë të papritur Ministria e Infrastukturës vendosi të anulojë tenderin për segmentin 7 të rrugës Kardhiq – Delvinë “për projekte më emergjente”.
Rama dhe Balluku te tuneli në korrik 2021
Partia Demokratike akuzoi ARRSH-së se kishte shpallur fituese bashkimin e disa kompanive, pas të cilave fshihej realisht kompania Vëllezërit Hysa, e përfshirë dhe në skandalin e DH-Albania me tenderin e Unazës së Madhe. Më 19 shtator 2019, drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato jep dorëheqjen. Zonja Qato sqaroi se dorëheqja erdhi pas akuzave të kompanisë Gjoka Konstruksion se ajo kishte skualifikuar në mënyrë të padrejtë këtë kompani nga tenderi për ndërtimin e tunelit të Skarficës. Dorëheqja e Qatos vinte disa muaj pasi paraardhësi i saj Afrim Qëndro u shkarkua pas skandalit me tenderin e Unazës së Madhe dhe kompanisë fantazëm DH Albania. Pas më shumë se një viti shtyrje të vendimit për shkak të ankimimeve dhe hetimeve, tenderi për ndërtimin e tunelit të Skarficës iu dha kompanisë Gjoka Konstruksion nga KPP në korrik të 2020 dhe në gusht nisi puna për ndërtimin e tij. Afati për përfundimin e tunelit është gushti i vitit 2022.
Nga e gjithë rruga Kardhiq – Delvinë, tre segmentet e para (gjithsej 16.6 km) kanë përfunduar. Segmenti 4, 5, 6 dhe 7 janë ende duke u ndërtuar ndërsa segmeti 8 përfshin përforcimin e skarpateve dhe të gjitha pjesët e sigurisë rrugore. E gjithë rruga ka kushtuar rreth 60 milionë euro dhe pritet që të shkurtojë distancën Tiranë – Sarandë me tre orë.