Dua Lipa, ashtu si shumë personazhe të famshëm në mbarë botën, i ka dalë në mbrojtje qytetarëve palestinezë, pas sulmeve të vazhdueshme nga ana e Izraelit.
Por këto postime të saj që në thelb kanë si qëllim mbrojtjen e të drejtave të njerëzve nuk janë pritur mirë nga të gjithë, sidomos nga pala izraelite. Madje këto postime të artistes kanë prekur edhe prestigjozen “New York Times”, që ka dalë kundër Duas.
Në një reklamë nga Rrjeti i Vlerave Botërore publikuar nga “NYT”, Dua Lipa, Bella dhe Gigi Hadid, cilësohen si vajza me ndikim shumë të madh, që kanë përçmuar shtetin hebre dhe kanë akuzuar pa të drejtë Izraelin për spastrim etnik.
Për shkak të këtyre akuzave, Dua Lipa është detyruar të reagojë dhe të sqarojë të vërtetën në lidhje me qëndrimet e saj.
“I hedh poshtë të gjitha pretendimet false që u publikuan sot në New York Times. Ky është çmimi që paguan kur mbron të drejtat e njerëzve në Palestinë kundër qeverisë së Izraelit, që veprimet e tyre në Palestinë, i cilësojnë si persekutim dhe diskriminim. E mbaj këtë qëndrim, sepse unë besoj se të gjithë, hebrenj, myslimanë dhe të krishterë, kanë të drejtën për të jetuar në paqe, si qytetarë të barabartë të një shteti që ata zgjedhin”, shkruan Dua Lipa në një postim.